Pozita e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, 24 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit

Moment historik dhe vendimtar për sjelljen e paqes konsiderohet edhe sot Marrëveshja e Ohrit – kontratë kjo e nënshkruar 24 vjet më parë në mes të shqiptarëve dhe maqedonasve. Kanë kaluar pothuajse një çerekshekulli nga nënshkrimi i këtij dokumenti që i dha fund konfliktit të armatosur në Maqedoninë e Veriut, por marrëveshja nuk u zbatua…

Lajme

13/08/2025 13:28

Moment historik dhe vendimtar për sjelljen e paqes konsiderohet edhe sot Marrëveshja e Ohrit – kontratë kjo e nënshkruar 24 vjet më parë në mes të shqiptarëve dhe maqedonasve. Kanë kaluar pothuajse një çerekshekulli nga nënshkrimi i këtij dokumenti që i dha fund konfliktit të armatosur në Maqedoninë e Veriut, por marrëveshja nuk u zbatua plotësisht, vlerësojnë njohës të këtij procesi.

Marrëveshja kornizë e Ohrit nënkupton karakterin unitar dhe përjashtimin e dhunës për arritjen e qëllimeve, thekson analisti Xhelal Neziri, ndërsa shton se me nënshkrimin e saj “sikur u modernizua dhe u demokratizua si shtet i të gjithë qytetarëve”.

“Ka qenë moment historik dhe vendim historik dhe tani duhet parë nga ky këndvështrim se çfarë është bërë dhe ku është gabuar. Ajo që është më e rëndësishmja është se kjo marrëveshje e solli paqen dhe e vuri Maqedoninë në binarët e integrimit euroatlantik dhe e vendosi qartë drejtë integrimit në NATO dhe Bashkimit Evropian. Ndërkohë që pjesët tjera të të drejtave të shqiptarëve janë dinamika të cilat janë të pranishme edhe në vendet tjera multietnike dhe që nevojitet artikulim dhe një zë më i fuqishëm politik tek shqiptarët sidomos që të mbrohen këto të drejta dhe të realizohen”, shprehet ai.

Marrëveshja e Ohrit u arrit me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare, e cila dha kontribut për zgjidhjen politike të krizës ndëretnike në vendin fqinj.

Ky dokument është implementuar në varësi nga vullneti politik i qeverive, thotë Neziri, sipas të cilit, qeveria aktuale e VMRO-DPMNE “nuk mban llogari për zbatimin e frymës së kësaj marrëveshjeje”.

“Marrëveshja e Ohrit është implementuar kryesisht në varësi nga vullneti politik i qeverive, apo koalicioneve qeverisëse. Në momentin kur një parti maqedonase ka pasur numër të mjaftueshëm të deputetëve, të cilët i kanë dhënë një komoditet që të mos jetë e varur nga parti shqiptare, zbatimi i frymës së Marrëveshjes së Ohrit ka qenë në nivel minimal. Marrëveshja e Ohrit nuk është vetëm ligj, nuk është vetëm kushtetutë, është një frymë e konsensusit, e dialogut e kompromiseve. Çdo gjë duhet të kalojë nëpërmjet këtyre filtrave, të dialogut me të gjitha palët, në rastin konkret ndërmjet etnive, kompromis midis dy etnive, konsensus në marrjen e vendimeve. Kjo frymë nuk është zbatuar në momentin kur partitë maqedonase kanë pasur një shumicë të madhe në parlament, kur nuk është varur qeveria nga shqiptarët”, deklaron ai.

Kësisoj, ai shton se nuk ka analizë se çka është miratuar nga kjo marrëveshje.

“Tani 24 vite më pas, për fat të keq nuk ka ndonjë analizë konkrete në evaluim lidhur me atë se çfarë është miratuar nga kjo marrëveshje, sa ato zgjidhje normative, ligje, kushtetutë që janë shkrirë në Marrëveshjen e Ohrit në sistemin politik të Maqedoninë e Veriut janë zbatuar dhe sa zbatime të atyre ligjeve dhe kushtetutës dhanë rezultate për të cilat u arrit Marrëveshja e Ohrit. Janë disa dimensione të cilat duhen analizuar, të cilat nuk janë analizuar në mënyrë kualitative deri më tani. Për fat të keq këtu faji më i madh është i partive shqiptare të cilat kanë udhëhequr edhe sekretariatin për implementim të Marrëveshjes së Ohrit në një kohë të gjatë që më pas u transformua në Ministrinë e Sistemit Politik dhe gjitha këto analiza nuk i kanë marrë seriozisht”, shton ai.

Marrëveshja e Ohrit i dha fund konfliktit në Maqedoninë e atëhershme i cili u nxit si pasojë e diskriminimit të shqiptarëve atje.

Dokumenti solli ndryshime në Kushtetutë dhe rregulloi përdorimin e gjuhëve të tjera, përveç asaj maqedonase.

Ish-diplomati, Xhevdet Halili, thotë për KosovaPress se afati i fundit për implementim të marrëveshjes ka qenë tri vjet pas nënshkrimit.

“Afati i përfundimit të implementimit të marrëveshjes së Ohrit ka qenë viti 2004, ne sot jemi 20 vite pas vitit 2004 dhe kemi gjëra që ende nuk janë implementuar sa duhet. Një ndër dobësitë më të mëdha të implementimit të Marrëveshjes së Ohrit deri më tani ka qenë se ajo u privatizua, u partizua”, thotë ai.

Njëzet e katër vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, ai thekson se shqiptarët po përballen me padrejtësi.

“Kërkesa është që të bëhet një ligj me të gjitha kriteret që Gjuha Shqipe të jetë gjuhë jo vetëm zyrtare por edhe e barabartë, sepse në Kushtetutën e vitit 1974 në Ish-Jugosllavi, shqipja formalisht ka qenë zyrtare dhe e barabartë. Në Kushtetutë është folur që shqipja, turqishtja janë zyrtare dhe të barabarta. Duhet ky ligj të sillet, të aprovohet, natyrisht atë ligj ta pranojë edhe partneri i koalicionit, në këtë rast VMRO dhe të nis të zbatohet si duhet. E dyta, kjo që thonë këta që janë në pushtet se kanë bërë ligj ku janë marrë vesh për mënyrën e përfaqësimit adekuat të shqiptarëve dhe qytetarëve të tjerë të fillojë të zbatohet ashtu siç duhet të zbatohet. Këto janë dy gjërat kryesore që edhe opozita dhe shqiptarët insistojnë”, shprehet ai.

Ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni të Veriut i detyron institucionet shtetërore të lejojnë përdorimin zyrtar të gjuhëve që fliten nga të paktën 20 për qind e qytetarëve. Këtu bëhet fjalë edhe për gjuhën shqipe.

Në Maqedoninë e Veriut me rreth 2 milionë banorë, shqiptarët përbëjnë gati 30 për qind të popullsisë.

Ndërkaq, Ligji i ri për gjuhët – i miratuar më 2018 – parasheh përdorim të zgjeruar të gjuhës shqipe siç është ai në proceset gjyqësore dhe në uniforma policore.

Partia VMRO-DPMNE që sot është në pushtet, e kishte kundërshtuar miratimin e këtij ligji i cili më pas përfundoi në Gjykatën Kushtetuese.

Çështja e gjuhës është gati më e diskutuara në Maqedoni të Veriut kur flitet për të drejtat e shqiptarëve në shtetin shumëkombësh.

“Gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare, barabarësia e plotë etnike e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, si dhe mundësitë e njëjta në sistemin shtetëror dhe ekonomik për qytetarët, shqiptarët por edhe për kompanitë shqiptare këtu. Marrëveshja e Ohrit është dashur që të jetë përgjigje e dilemës kryesore të Maqedonisë së Veriut nga e cila burojnë të gjitha konfliktet dhe që është kujt i takon shteti i Maqedonisë së Veriut. Maqedonasit e kanë dizajnuar si shtet vetëm për popullin maqedonas, ndërkohë që shqiptarët duan të jenë po ashtu shtetformues, pra shteti përveç maqedonasve të ju takojë edhe shqiptarëve, por edhe turqve, boshnjakëve, serbëve dhe të tjerëve”, thekson gazetari Xhelal Neziri.

Çështja e gjuhës është gati më e diskutuara në Maqedoni të Veriut kur flitet për të drejtat e shqiptarëve në shtetin shumëkombësh. Por, shqiptarët atje përballen me thirrje raciste edhe më shumë se dy dekada pas marrëveshjes e cila për bazë e kishte zhvillimin e shtetit mbi parimet e barazisë.

Rasti i fundit ishte vetëm disa ditë më parë në një ndeshje basketbolli që u zhvillua në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë. Aty u raportua se u dëgjuan fryje ndaj shqiptarëve, për çka autoritetet nisën edhe hetime.

Shqetësim për “rrezikim” të arritjeve të shqiptarëve në Maqedoni të Veriut kishte shprehur muaj më parë Bashkimi Demokratik për Integrim – parti tash në opozitë që udhëhiqet nga Ali Ahmeti. Madje, për këtë ai u pati shkruar letër edhe perëndimorëve.

Ndërkaq sipas koalicionit shqiptar VLEN, që aktualisht është pjesë e qeverisë, të drejtat e qytetarëve atje nuk po degradohen./kp