Prokuroria e Prizrenit kërkon paraburgim për të dyshuarin që iu sekuestrua kokainë me vlerë rreth 300 mijë euro

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për të dyshuarin H.K., i cili ndodhet në ndalim 48-orësh. Ai dyshohet për kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”, sipas nenit 267 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, transmeton lajmi.net Sipas…

Lajme

13/08/2025 09:25

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për të dyshuarin H.K., i cili ndodhet në ndalim 48-orësh.

Ai dyshohet për kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”, sipas nenit 267 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, transmeton lajmi.net

Sipas Prokurorisë, i dyshuari dyshohet se ka qenë i përfshirë në aktivitet të paligjshëm të shpërndarjes dhe shitjes së substancave narkotike të llojit “kokainë”.

Më 12 gusht 2025, pas marrjes së informatave për veprimtarinë e tij, Policia e Kosovës ka realizuar një bastisje në banesën e të dyshuarit në rrugën “William Walker” në Prizren.

Gjatë bastisjes janë sekuestruar tri tulla me kokainë me peshë 3.3 kg, një kilogram tjetër me mbetje të së njëjtës substancë, si dhe një sasi e madhe paketimesh më të vogla – gjithsej rreth 1.1 kg dhe 36.62 gram kokainë të ndarë në 133 qese.

Po ashtu janë konfiskuar dy peshore elektronike, një motoçikletë, një telefon iPhone 15 Pro Max, pajisje për paketim dhe 260 euro para të gatshme.

Sipas vlerësimeve, sasia e sekuestruar e kokainës kap vlerën rreth 300 mijë euro në tregun ilegal.

Prokuroria njoftoi se veprimet e ndërmarra janë pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për luftimin e kriminalitetit dhe forcimin e sundimit të ligjit në vend.

Njoftimi i plotë: 

Prokuroria e Prizrenit kërkon paraburgim për të pandehurin që iu sekuestrua drogë në vlerë rreth 300 mijë euro
Prizren, 13 Gusht 2025 – Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, ndaj të pandehurit H.K., i cili gjendet në ndalim 48 orësh, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 par.2 sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas kërkesës së prokurorisë, nga koha e pavërtetuar deri me datë 11.08.2025, në Prizren, i pandehuri H.K., pa autorizim, shpërndanë, shet, transporton, ndërmjetëson, dërgon, substanca narkotike apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, në atë mënyrë që i njëjti posedon narkotikë ë llojit “Kokainë”, me qëllim të shitjes dhe shpërndarjes tek përdorues e substancave narkotike, ku me datë 12.08.2025, policia pas marrjes së informatave lidhur me të pandehurin se ishte duke ofruar për shitje dhe shpërndarje narkotikë, realizon bastisje në banesën e të pandehurit në rrugën “William Walker”, ku janë gjetur dhe sekuestruar:
Tri (3) tulla të mbështjella me foli dhe qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit “kokainë” me peshë prej: 3.3 kg,
1kg të substancë të dyshuar narkotike të llojit “kokainë” me mbetje të saj,
Nëntëmbëdhjetë (19) qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit “kokainë” me peshë prej: 1.1 kg,
Njëqind e tridhjetë e tre (133) qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit “kokainë” me peshë prej 36,62 gram,
Një (1) qese najloni me substancë te dyshuar narkotike të llojit “kokainë” me peshë prej 0,32 gr.,
Dy (2) peshore elektronike;
Të holla (para) në vlerë prej 260 euro;
Një (1) pajisje për vakumim të qeseve plastike;
Një (1) motoçikletë PIAGGIO VESPA;
Një (1) telefon mobil iPhone 15 Pro Max;
Një (1) skalper;
Sasi e konsiderueshme e qeseve plastike për paketim.
Sipas vlerësimeve, sasia e sekuestruar e substancës narkotike, në tregun ilegal, mund të kap vlerën deri në 300,000 (treqind mijë) euro.
Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” sipas KPRK-së.
Prokuroria Themelore në Prizren, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin./lajmi.net/