Prokuroria në Gjakovë kërkon caktimin e paraburgimit ndaj një personi për shitblerje të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje
Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se ndaj të pandehurit me inicialet E.M., ka marrë Aktvendim për fillimin e hetimeve si dhe ka paraqitur, kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh. Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket…

Lajme
Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se ndaj të pandehurit me inicialet E.M., ka marrë Aktvendim për fillimin e hetimeve si dhe ka paraqitur, kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me inicialet E.M., më datë 11.08.2025 rreth orës 21:25 në Gjakovë rr.”Gasper Karaqi”, pa autorizim posedon, transporton substanca apo preparate të cilat me ligj janë shpallur si narkotikë, substanca psikotrope ose analoge, me qëllim të shitjes ose shpërndarjes, në atë mënyrë që derisa i pandehuri ka qenë duke lëvizur përgjatë rrugës së lartcekur me automjetin e tij “Audi A6” me targa të regjistrimit …, në një pik kontrolli është ndalur nga zyrtarët policor të NJRSH-së, ku gjatë kontrollit nga një çantë e të pandehurit gjenden dhe sekuestrohen gjashtë (6) qese të mbushura me substancë narkotike të dyshuar për llojin kokainë në peshë prej 2.71 gr, ashtu që nga ana e hetuesve në mënyrë urgjente është kryer kontrolli dhe bastisja në banesën e të pandehurit me ç’rast janë gjetur dhe sekuestruar një (1) paketim me substancë narkotike në peshë prej 280 gr, një (1) paketim me substancë narkotike në peshë prej 90 gr, një (1) paketim me substancë narkotike në peshë prej 13 gr, të dyshuar për substancë narkotike të llojit kokainë në peshë të përgjithshme prej 385.71 gr, një peshore digjitale, dy palë gërshërë, një lugë metalike, shirit ngjitës, shkrepës dhe qese të vogla të zbrazëta, të cilat kanë shërbyer për përgatitjen dhe më pas shitjen apo shpërndarjen e substancës narkotike, të cilat janë sekuestruara nga hetuesit policor.
Me këto veprime formohet dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale, blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267 par.2 të KPRK-së.
Gjithashtu i pandehuri nga data e pa vërtetuar deri me datë 11.08.2025 rreth orës 21:25 në Gjakovë, ka mbajtur në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar dhe në kundërshtim me nenin 4 par.1 nënpar.1.1 Ligjin mbi armët të Republikës së Kosovës, dhe atë armën – revole me gaz e modelit Zoraki dhe një (1) karikartor, e sekuestruar nga ana e policisë.
Me këto veprime formohet dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par.1 të KPRK-së.
I pandehuri që nga data 11 gusht 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprat penale të lartëcekur.
Prokuroria Themelore në Gjakovë, mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.