Rufki Suma rikthehet në politikë – zyrtarizon kandidaturën si i pavarur për kryetar të Hanit të Elezit

Ish-kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma, ka zyrtarizuar kandidaturën e tij si kandidat i pavarur për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025. Në një komunikim drejtuar qytetarëve përmes një postimi publik, Suma bëri të ditur se ka dorëzuar mbi 1200 nënshkrime mbështetëse, të cilat janë pranuar dhe certifikuar nga Komisioni…

Lajme

12/08/2025 15:58

Ish-kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma, ka zyrtarizuar kandidaturën e tij si kandidat i pavarur për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025.

Në një komunikim drejtuar qytetarëve përmes një postimi publik, Suma bëri të ditur se ka dorëzuar mbi 1200 nënshkrime mbështetëse, të cilat janë pranuar dhe certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), transmeton lajmi.net

Nën moton “Gjithnjë në shërbim të popullit”, Suma tha se ka vendosur t’i hyjë garës për një tjetër mandat, duke u zotuar për vazhdimësi të projekteve që, sipas tij, kanë qenë në shërbim të interesit të qytetarëve, dhe që do të vazhdojnë të realizohen në bashkëpunim me donatorët vendorë e ndërkombëtarë.

“Ashtu sikurse mandatet e kaluara që bashkarisht me ju dhe donatorët vendorë dhe ndërkombëtarë që realizuam projektet e shumëta në interesin tuaj, ashtu edhe në të ardhmen, me ndihmën e Zotit dhe donatorëve si vendorë ashtu edhe ndërkombëtarë, bashkarisht me ju do të realizojmë projektet që do të përcaktohen nga ana e juaj nëpër debatet publike,” shkroi Suma.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe etikën gjatë fushatës zgjedhore, duke mos etiketuar apo fyer kandidatët e tjerë, qoftë për kryetar komune apo për anëtarë të kuvendit komunal.

“Ju lus të gjithëve juve të nderuar qytetarë pa dallime partiake, të mos etiketoni apo të fyeni kandidatët qoftë për kryetar apo këshilltarë të kuvendit komunal,” theksoi ai.

Suma gjithashtu apeloi për një proces zgjedhor të lirë dhe demokratik, ku qytetarët të votojnë sipas bindjes së tyre personale, pa ndikuar nga presione apo interesa të jashtme.

“Ju duhet të votoni vetë sipas bindjes tuaj të lirë, pa ndikim e pa presion nga askush, votoni ata që ju mendoni se është më i miri dhe punon për interesin e komunës suaj,” përfundoi ai.

Rufki Suma është njëri nga emrat më të njohur në Han të Elezit, duke shërbyer disa mandate si kryetar komune. Ai pritet të jetë njëri nga kandidatët kryesorë në garën për kryetar në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Postimi i plotë: 

Të nderuar qytetarë të Hanit të Elezit, pas pranimit nga ana e juaj të listës me mbi 1200 nënshkrimeve për kandidimin tim për kryetarë të komunës së Hanit të Elezit si Kandidat i Pavarur dhe pas çertifikimit nga ana e KQZ-së, nën moton “Gjithnjë në shërbim të popullit”, unë kam vendosur t’i hyjë garës për kryetar të komunës së Hanit të Elezit që do të mbahen me 12 tetor të këtij viti.
Ashtu sikurse mandatet e kaluara që bashkarishtë me ju dhe donatorët vendorë dhe ndërkombëtarë që realizuam projektet e shumëta në interesin tuaj, ashtu edhe në të ardhmën, me ndihmën e Zotit dhe donatorëve si vendorë ashtu edhe ndërkombëtarë, bashkarisht me ju do të realizojmë projektet që do të përcaktohen nga ana e juaj nëpër debatet publike.
Ju lus të gjithëve juve të nderuar qytetar pa dallime partiake, të mos etiketoni apo të fyeni kandidatët qoftë për kryetar apo këshilltarë të kuvendit komunal.
Ju duhet të votoni vetë sipas bindjes tuaj të lirë, pa ndikim e pa presion nga askush, votoni ata që ju mendoni se është më i miri dhe punon për interesin e komunës suaj.
Me respekt,
Rufki Suma, Kandidat i Pavarur./lajmi.net/