I kishin fshehur në një “bunker” e në tualet – Konfiskohet 80 mijë copë cigare pa banderola në një autobus që vinte nga Serbia në Kosovë

Njësitet Antikontrabandë të Doganës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, në qytetin e Mitrovicës, kanë ndaluar për kontroll dy autobusë që qarkullonin në linjën Serbi–Kosovë. Gjatë kontrollit fillestar, në orët e vona të mbrëmjes, për shkak të kushteve të kufizuara për inspektim të detajuar, në sistemet e ajrosjes së njërit prej autobusëve u…

Lajme

11/08/2025 13:02

Njësitet Antikontrabandë të Doganës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, në qytetin e Mitrovicës, kanë ndaluar për kontroll dy autobusë që qarkullonin në linjën Serbi–Kosovë.

Gjatë kontrollit fillestar, në orët e vona të mbrëmjes, për shkak të kushteve të kufizuara për inspektim të detajuar, në sistemet e ajrosjes së njërit prej autobusëve u has në një sasi të konsiderueshme cigare pa banderola.

Kontrollet e detajuara janë vazhduar më tutje ku në një hapësirë të posaçme (“bunker”) për fshehje mallrash, si dhe në tualetin e autobusit, janë zbuluar edhe cigare të tjera të kontrabanduara.

Në total janë gjetur dhe konfiskuar 80,000 copë cigare, të gjitha pa banderola, të cilat dyshohet se ishin destinuar për tregun e brendshëm të Kosovës në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Rasti është proceduar për hetime të mëtutjeshme në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore.