Kurti: Përpjekjet e Serbisë për të minuar sovranitetin vazhdojnë të paraqesin kërcënim ndaj sigurisë tonë kombëtare
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka kërkuar nga përfaqësuesit diplomatike të Kosovës, që të punojnë në harmoni të plotë dhe në koordinim të ngushtë me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për të shtyrë përpara interesat e vendit në arenën ndërkombëtare. Kurti këto thirrje i bëri në edicionin e tetë të Konferencës së Ambasadorëve…

Lajme
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka kërkuar nga përfaqësuesit diplomatike të Kosovës, që të punojnë në harmoni të plotë dhe në koordinim të ngushtë me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për të shtyrë përpara interesat e vendit në arenën ndërkombëtare.
Kurti këto thirrje i bëri në edicionin e tetë të Konferencës së Ambasadorëve të Kosovës.
“Kjo shpërndarje e gjerë e përfaqësive përbën njëkohësisht edhe avantazh edhe sfidë. Avantazhi është se i mundëson shtetit tonë që të ketë 53 zëra të fuqishëm nëpër botë për të shtyrë përpara interesat më të rëndësishme të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Sfida kryesore është se si të gjejmë një mënyrë që këta zëra tuaj të mos funksionojnë të pa ndërlidhur me njëri-tjetrin, por në harmoni të plotë si një kor i vetëm me ministrin këtu në Prishtinë në rolin e dirigjentit. Në këtë projekt të unifikuar duhet të bashkëpunoni sa më ngushtë jo vetëm me ministrin por edhe me njëri-tjetrin. Urat e bashkëpunimit duhet të ndërtohen vazhdimisht gjatë gjithë vitit”, tha Kurti.
Ai theksoi se përpjekjet e Serbisë për të minuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës mbeten një kërcënim serioz.
“Përpjekjet e Serbisë për të minuar sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit vazhdojnë të paraqesin kërcënim ndaj sigurisë tonë kombëtare. Lufta propagandistike e Serbisë, në bashkëpunim të ngushtë me Federatën Ruse po egërsohet nga dita në ditë, duke shpërndarë në mënyrë sistematike në çdo skaj të botës mesazhe të rrejshme. Duke marrë parasysh këtë veprimtari, juaja si përfaqësues të Kosovës është jetike për mbrojtje”, u shpreh ai.