Haxhiu: S’po di cilin vendim të Kushtetueses me respektuar, Gjykata ua grabiti kompetencat deputetëve
Ministrja në Detyrë, Albulena Haxhiu ka komentuar vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se gjykata ua ka grabitur kompetencat kushtetuese Kuvendit të Republikës së Kosovës, sepse ata janë autoriteti që duhet të vendosin se si duhet të jetë votimi, dhe këtë e ka konfirmuar e njëjta gjykatë në aktgjykimin e vitit 2025. Pas…

Lajme
Ministrja në Detyrë, Albulena Haxhiu ka komentuar vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se gjykata ua ka grabitur kompetencat kushtetuese Kuvendit të Republikës së Kosovës, sepse ata janë autoriteti që duhet të vendosin se si duhet të jetë votimi, dhe këtë e ka konfirmuar e njëjta gjykatë në aktgjykimin e vitit 2025.
Pas 54 dështimesh për konstituim të Kuvendit, Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim të premten ku vendosi që deputetët të zgjedhin kryetarin e Kuvendit përmes votimit të hapur brenda 30 ditëve. Po ashtu, Kushtetuesja përcaktoi që kandidati i njëjtë mund të votohet vetëm deri në tri herë dhe se të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë në votim.
Partitë parlamentare asesi nuk kanë mundur të zgjedhin trupat e Kuvendit, ku kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, në gjashtë tentime me votim të hapur nuk ka arritur të sigurojë 61 votat e nevojshme, ndërsa në 48 tentime ka dështuar të formohet komisioni për votim të fshehtë, i cili u konsiderua jokushtetues nga gjykata.
Haxhiu në një konferencë për media, ka thënë se njoftimi i Gjykatës Kushtetuese është tejkalim flagrant i kompetencave që ka Gjykata Kushtetuese.
“Për mua, njoftimi i Gjykatës Kushtetuese përbën shqetësim serioz sepse është tejkalim flagrant i kompetencave që ka gjykata kushtetuese. Pastaj do të ndërlidhem çka saktësisht është fjala për tejkalimin e kompetencave kushtetuese. Sipas kushtetutës vetë dhe sipas nenit 4 të kushtetutës thuhet se Gjykata Kushtetuese është institucioni më i lartë që e bën interpretimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe është institucioni që është garant i respektimit të Kushtetutës. Disa nga pikat e dispozitivit që tashmë është bërë publik nuk burojnë nga teksti i kushtetutës, dhe nuk janë të parashikuara në asnjë nen të kushtetutës. As në Kushtetutë, as në rregulloren e kuvendit dhe për pasojë ato përbëjnë krijim të normave të reja, çka është funksion i pushtetit legjislativ por jo dhe i pushtetit gjyqësor interpretues”, tha ajo.
Ajo komentoi disa pika të vendimit të Kushtetueses, duke thënë se gjykata ua ka grabitur kompetencat Kuvendit të Republikës së Kosovës.
“Në Kushtetutë askund nuk lejohet që deputeti të jetë subjekt i vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese , vetëm presidenti mund t’i nënshtrohet aktit kushtetues dhe gjykata mund të trajtojë aktet e Kuvendit por assesi të një individi, në këtë rast kryesuesit. Tjetra thotë procesi i votimit për kryetar dhe nënkryetarët se votimi duhet të bëhet i hapur tash pyetja është se në aktgjykimin e parafundit ka thënë se nuk parashihet që votimi të jetë i hapur apo i mbyllur, kjo është në vullnetin e deputetëve. Tash gjykata thotë se votimi duhet të jetë i hapur, ku e merr këtë të drejt gjykata, pra gjykata ua ka grabitur kompetencat kushtetuese Kuvendit të Republikës së Kosovës, sepse ata janë autoriteti që duhet të vendosin, dhe këtë e ka konfirmuar edhe në aktgjykimin e vitit 2025. Tjetra është që votimi që duhet të realizohet vetëm tri herë, ku e ka parë gjykata këtë….cili do të jetë veprimi i jonë pas këtij vendimi , do ta kuptoni kur të vijë koha. Unë nuk po di cilin vendim me respektuar, atë të 2014, atë të para një muajit a sa ishte”,tha ajo, derisa shtoi se të gjitha vendimet e Kushtetueses si parti i kanë respektuar.
Ajo shtoi se gjykatësit e Kushtetueses nuk duhet të ndihen në presion dhe borxhlinj ndaj askujt por duhet ta kryejnë punën në mënyrë profesionale, por se vendimet e fundit të tyre janë shqetësuese./kp