Salah kërkon të vërtetën nga UEFA për vrasjen e futbollistit palestinez në Gaza

Mohamed Salah ka sfiduar UEFA-n, pasi kjo e fundit i bëri homazh Suleiman al-Obeid, një futbollist palestinez që u vra këtë javë në Gaza. Ylli i Liverpoolit ka cituar një postim të UEFA-s në platformën X, ku kjo e fundit nderonte ‘Pelen palestinez’.  “Lamtumirë Suleiman al-Obeid, ‘Pele palestinez’. Një talent që i dha shpresë mijëra…

Sport

10/08/2025 08:23

Mohamed Salah ka sfiduar UEFA-n, pasi kjo e fundit i bëri homazh Suleiman al-Obeid, një futbollist palestinez që u vra këtë javë në Gaza.

Ylli i Liverpoolit ka cituar një postim të UEFA-s në platformën X, ku kjo e fundit nderonte ‘Pelen palestinez’. 

“Lamtumirë Suleiman al-Obeid, ‘Pele palestinez’. Një talent që i dha shpresë mijëra fëmijëve, edhe në kohët më të errëta”, thuhej në mesazhin e UEFA-s. 

Postimi i Salah në përgjigje ishte i shkurtër dhe goditës: “A mund të na thoni si vdiq, ku dhe pse?” 

Sipas një deklarate të Federatës Palestineze të Futbollit, Obeid u vra më 6 gusht teksa priste për të marrë ndihma humanitare në Gaza. 

I lindur në Gaza më 1984, Obeid bëri debutimin e tij me përfaqësuesen e Palestinës në vitin 2007. 

 Ai ishte sulmues dhe anësor, dhe gjatë karrierës së tij ka luajtur 19 ndeshje për kombëtaren, duke shënuar dy gola. Klube të tij përfshijnë Khadamat Al-Shatea, Markaz Shabab Al-Amari dhe Gaza Sport. 

“Suleiman al-Obeid, ish-lojtar i kombëtares së Palestinës, u vra nga një sulm izraelit që kishte në shënjestër civilët që prisnin ndihma humanitare në jug të Gazës”.  

“Gjatë karrierës së tij të gjatë, Al-Obeid shënoi mbi 100 gola, duke u bërë një nga yjet më të mëdhenj të futbollit palestinez”, thuhej në reagimin e Federatës Palestineze.