Me duar të lidhura – Igor Popoviq sillet në Gjykatën Themelore

Ndihmësi i drejtorit i të ashtuquajturës të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Igor Popoviq, është paraqitur sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i shoqëruar nga policia dhe me duar të lidhura. Ai po përballet me një seancë dëgjimore, ku pritet të shqyrtohet marrëveshja për pranim të fajësisë e arritur ndërmjet tij dhe Prokurorisë Speciale…

Lajme

08/08/2025 10:20

Ndihmësi i drejtorit i të ashtuquajturës të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Igor Popoviq, është paraqitur sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i shoqëruar nga policia dhe me duar të lidhura.

Ai po përballet me një seancë dëgjimore, ku pritet të shqyrtohet marrëveshja për pranim të fajësisë e arritur ndërmjet tij dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, transmeton lajmi.net

Popoviq është akuzuar për veprën penale të “nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit” ndërmjet komuniteteve etnike, pas një fjalimi të mbajtur më 18 korrik në Hoçë të Madhe, ku, ndër të tjera, kishte cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si “organizatë terroriste”. Ai u arrestua po atë ditë në pikëkalimin kufitar të Bërnjakut, që lidh Kosovën me Serbinë.

Më 5 gusht, Prokuroria Speciale e Kosovës bëri të ditur se ka dorëzuar aktakuzën ndaj Popoviqit, së bashku me marrëveshjen për pranim të fajësisë, duke konfirmuar se ai ka pranuar veprën për të cilën akuzohet.

Pas arrestimit të tij, atij iu caktua masa e paraburgimit prej një muaji, vendim që u apelua nga avokati i tij, por më 31 korrik, Gjykata e Apelit e la në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore./lajmi.net/