Trump: Armenia dhe Azerbajxhani do të nënshkruajnë marrëveshje të paqes në Shtëpinë e Bardhë

Liderët e Armenisë dhe Azerbajxhanit pritet të nënshkruajnë një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, që mund t’i japë fund konfliktit të gjatë prej dekadash. Kjo pritet të ndodhë më 8 gusht, gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë, kur presidenti amerikan, Donald Trump, të mirëpres udhëheqësit e dy vendeve. Kryeministri armen, Nikol Pashinian, dhe…

Bota

08/08/2025 10:10

Liderët e Armenisë dhe Azerbajxhanit pritet të nënshkruajnë një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, që mund t’i japë fund konfliktit të gjatë prej dekadash.

Kjo pritet të ndodhë më 8 gusht, gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë, kur presidenti amerikan, Donald Trump, të mirëpres udhëheqësit e dy vendeve.

Kryeministri armen, Nikol Pashinian, dhe presidenti azerbajxhanas, Ilham Aliyev, do të nënshkruajnë gjithashtu marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për të “ndjekur së bashku mundësitë ekonomike, në mënyrë që të shfrytëzojmë plotësisht potencialin e rajonit të Kaukazit të Jugut”, tha Trump në platformën Truth Social më 7 gusht.

“Shumë liderë kanë provuar t’i japin fund luftës, pa sukses, deri më tani, falë ‘TRUMPIT’”, shkroi ai, duke shtuar se do të jetë “një ceremoni zyrtare e nënshkrimit të paqes”.

Sipas zyrës së tij për media, Pashinian ndodhet tashmë në Uashington dhe më 7 gusht vizitoi Muzeun e Biblës.

Shërbimi për media më 6 gusht bëri të ditur se Pashiniani do të vizitonte Shtetet e Bashkuara, ku do të zhvillonte një takim dypalësh me Trumpin dhe një takim trepalësh me Trumpin dhe Aliyevin “për të promovuar paqen, prosperitetin dhe bashkëpunimin ekonomik në rajon”.

Megjithatë, deri në postimet e Trumpit në rrjetet sociale më 7 gusht, nuk kishte deklarata përfundimtare nga asnjë prej tre qeverive nëse do të nënshkruhej një marrëveshje paqeje.

Marrëveshjet ekonomike mund të hapin rrugën për rihapjen e një korridori strategjik transporti në Kaukazin e Jugut, i cili ka qenë i mbyllur që nga fillimi i viteve ’90.

Sipas zyrtarëve amerikanë, të cituar në raportimet mediatike në kushte anonimiteti, marrëveshjet do t’i jepnin Shteteve të Bashkuara të drejtën e qirasë për zhvillimin e korridorit të Zangezurit dhe do ta emërtonin atë “Rruga Trump për Paqe dhe Prosperitet Ndërkombëtar” (TRIPP).

Ky korridor do të lidhte Azerbajxhanin me rajonin e tij të Nakhçivanit, i cili është i ndarë nga pjesa tjetër e vendit nga një shtrirje 32 kilometra e territorit armen, dhe do të përfshinte në të ardhmen një linjë hekurudhore, tubacione për naftë dhe gaz, si dhe linja me fibra optike, duke mundësuar qarkullimin e mallrave dhe më vonë edhe të njerëzve.

Marrëveshja nuk parashikon që Shtetet e Bashkuara të financojnë ndërtimin e korridorit të tranzitit, por u bën thirrje korporatave private ta zhvillojnë atë. Ajo u arrit pas një vizite të të dërguarit të posaçëm amerikan, Steve Witkoff, në Baku më herët gjatë këtij viti dhe pas vazhdimit të bisedimeve mes palëve.

Përmirësimi i raporteve pas luftës
Armenia dhe Azerbajxhani kanë zhvilluar dy luftëra të mëdha për rajonin e njohur si Nagorno-Karabak që nga shpallja e pavarësisë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik më 1991.

Dy shtetet e Kaukazit Jugor kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve që nga konflikti i fundit i armatosur më 2020 dhe eksodi që pasoi i popullsisë etnike armene nga rajoni i kontestuar, të cilin zyrtarët në Jerevan tashmë e njohin si territor sovran të Azerbajxhanit.
Megjithëse për finalizimin e tekstit të marrëveshjes së paqes u njoftua në mars dhe u përshëndet ndërkombëtarisht pas vite negociatash dypalëshe, dokumenti ende nuk është nënshkruar.

Azerbajxhani ka kushtëzuar vazhdimisht nënshkrimin e saj me heqjen nga Kushtetuta e Armenisë të një reference për Deklaratën e Pavarësisë së vitit 1990, e cila i referohet një akti të bashkimit të miratuar më 1989 nga organet legjislative të Armenisë sovjetike dhe të Nagorno-Karabakut.

Po ashtu, Bakuja kërkon që Armenia të pranojë shpërbërjen e Grupit të Minskut të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) – i vetmi mekanizëm ndërmjetësues ndërkombëtar, i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Rusia, që për dekada ka kërkuar që të negociohet një zgjidhje për konfliktin në Nagorno-Karabak.

Armenia është pajtuar për dy kërkesat, megjithëse ka theksuar se si çështje parimore, miratimi i një kushtetute të re në vitet në vijim duhet të jetë një çështje e brendshme e Armenisë. Po ashtu, ajo ka propozuar që kërkesa e përbashkët për shpërbërjen e Grupit të Minskut drejtuar OSBE-së të ndodhë njëkohësisht me nënshkrimin e marrëveshjes së paqes.

Çështjet kufitare
Në një tjetër arritje diplomatike, që u mirëprit nga komuniteti ndërkombëtar, Armenia dhe Azerbajxhani realizuan për herë të parë delimitimin dhe demarkimin e një segmenti prej 13 kilometrash të kufirit të tyre verior gjatë vitit 2024.

Si rezultat i kësaj, ushtria armene u tërhoq nga katër fshatra të pabanuara që kishin qenë pjesë e Azerbajxhanit sovjetik përpara se të shpërthente lufta mes dy vendeve në fillim të viteve ’90.
Të dyja palët janë pajtuar të vazhdojnë procesin e delimitimit dhe demarkimit të kufirit, por gjatë vitit të fundit nuk është shënuar asnjë përparim në pjesë të tjera të kufirit – teksa Armenia pretendon se Azerbajxhani vazhdon të okupojë më shumë se 200 kilometra katrorë të territorit të saj.

Opozita armene e ka dënuar demarkimin e diskutueshëm të kufirit dhe hapat e mëtejshëm diplomatikë të ndërmarrë nga Jerevani, duke i cilësuar si “dorëzim” dhe ka kërkuar dorëheqjen e Pashinianit. Megjithatë, protestat dhe tubimet e vazhdueshme të opozitës, në të cilat morën pjesë mijëra qytetarë në maj dhe qershor të vitit 2024, përfundimisht u ndërprenë, ndërsa kryeministri armen ka deklaruar se përpjekjet e Qeverisë së tij për një paqe të qëndrueshme me Azerbajxhanin gëzojnë ende një mbështetje të gjerë të publikut.

Korridori Zangezur
Një tjetër aspekt i ndjeshëm i negociatave mes Armenisë dhe Azerbajxhanit ka qenë edhe i ashtuquajturi Korridori Zangezur.

Sipas një prej neneve të marrëveshjes së armëpushimit të vitit 2020, të ndërmjetësuar nga Moska – e cila i dha fund luftës së përgjakshme 44-ditëshe në Nagorno-Karabak – Armenia duhet të garantojë “sigurinë e lidhjeve të transportit” mes territorit kryesor të Azerbajxhanit dhe eksklavës së tij perëndimore, Nahçivanit, duke siguruar “lëvizjen e papenguar të qytetarëve, automjeteve dhe mallrave në të dy drejtimet”.

Armenia, e cila ka qenë e bllokuar nga Azerbajxhani dhe Turqia për gati 40 vjet në aspektin tokësor, ka insistuar vazhdimisht që çdo rrugë transiti duhet të jetë pjesë e një procesi më të gjerë të zhbllokimit rajonal dhe duhet të respektojë sovranitetin, juridiksionin dhe integritetin territorial të Armenisë. Zyrtarët në Jerevan e kanë kundërshtuar idenë dhe madje edhe narrativin e një korridori ekstraterritorial, duke e cilësuar si një pretendim të fshehtë territorial nga ana e Azerbajxhanit.
Në vitin 2024, për shkak të mungesës së një zgjidhjeje, Azerbajxhani dhe Armenia sinjalizuan se çështja e transportit do të trajtohet veçmas nga marrëveshja e përgjithshme e paqes.

Sipas marrëveshjes së armëpushimit të vitit 2020, kontrolli mbi lidhjet e transportit mes Armenisë dhe Azerbajxhanit do të ushtrohej nga Shërbimi i Rojeve Kufitare i FSB-së së Rusisë. Megjithatë, pas një sërë zhvillimesh – përfshirë dështimin e paqeruajtësve rusë për të mbrojtur popullatën etnike armene gjatë ofensivës së Azerbajxhanit në shtator të vitit 2023 dhe tërheqjen e tyre të mëvonshme – Armenia ka ndryshuar orientimin e saj gjeopolitik, duke u larguar nga Moska dhe duke u afruar më shumë me Perëndimin.

Një rol për SHBA-në
Diskutimet për një përfshirje të mundshme të SHBA-së në administrimin e rrugës, si pjesë e një zgjidhjeje për mosmarrëveshjen e vazhdueshme, dolën në pah rreth kohës së samitit të 10 korrikut mes Pashinianit dhe Aliyevit në Abu Dabi, ku bisedimet 5-orëshe thuhet se u përqendruan gjithashtu në çështjet e transportit rajonal.

Ambasadori amerikan në Turqi, Thomas Barrack, në veçanti, ka sugjeruar se Uashingtoni ka propozuar një marrëveshje për marrjen nën menaxhim për 100 vjet të një lidhje të tillë transporti, në përpjekje për të lehtësuar një marrëveshje paqeje mes dy vendeve të Kaukazit Jugor.

“Ata [Armenia dhe Azerbajxhani] po debatojnë për 32 kilometra rrugë, por kjo nuk është shaka”, u tha Barrack gazetarëve në Nju Jork më 11 korrik. “Kjo po zgjat që një dekadë – 32 kilometra rrugë”.

Zëdhënësja e Pashinianit, Nazeli Baghdasarian, e hodhi poshtë idenë e një marrëveshjeje për dhënien nën menaxhim e rrugës, por në një konferencë për shtyp më 16 korrik, kryeministri armen konfirmoi se Shtetet e Bashkuara kishin propozuar që qarkullimi i njerëzve dhe mallrave përmes Siunikut të administrohej nga një kompani amerikane.

Baghdasarian sinjalizoi për gatishmërinë e Jerevanit për ta “nënkontraktuar” administrimin e rrugës përmes Siunikut një pale të tretë, përfshirë një kompani amerikane ose një ndërmarrje të përbashkët të re, duke këmbëngulur njëkohësisht se Armenia duhet të ruajë sovranitetin mbi të vetmin rajon që kufizohet me Iranin.

“Ne flasim shumë për hekurudha dhe autostrada, por në këtë kontekst po flasim gjithashtu për gazsjellës, linja të energjisë elektrike, kabllo të telekomunikimit dhe kjo është një infrastrukturë që duhet menaxhuar dhe krijuar”, tha ai.

Në anën tjetër, Aliyev ka përsëritur kërkesat e tij.

“Mallrat dhe qytetarët azerbajxhanas nuk duhet të shohin fytyrat e rojeve kufitare armene apo të kujtdo tjetër”, tha ai në korrik, duke rritur presionin ndaj Jerevanit.

“Nuk duhet të ketë kontakt fizik dhe duhet të ketë masa sigurie që njerëzit dhe mallrat tona të kalojnë lirshëm”.

Qeveria armene i ka hedhur poshtë këto pretendime. Ndërkaq, partitë opozitare në Armeni po bëjnë thirrje për një dialog më të gjerë – jo vetëm për hapjen e kësaj rruge të veçantë transiti, por për të gjitha rrugët në rajon – me synimin për t’i dhënë fund bllokadës ndaj Armenisë.

Reagime nga lojtarët rajonalë
Paqja e qëndrueshme dhe hapja e një rruge transiti përmes Armenisë ka potencialin të lidhë Kaukazin dhe Azinë Qendrore – rajone të pasura me naftë dhe gaz – me Evropën, duke shmangur Rusinë dhe Iranin.

Rusia dhe Irani kanë shprehur shqetësim për një prani të mundshme amerikane në rajonin strategjik armen të Siunikut, që kufizohet me Iranin.

Moska ka akuzuar Uashingtonin se po përpiqet të marrë përsipër procesin e paqes mes Armenisë dhe Azerbajxhanit dhe të lërë mënjanë fuqitë rajonale.

“Perëndimorët synojnë ta zhvendosin procesin e pajtimit mes Bakusë dhe Jerevanit në shinat e tyre”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, në një konferencë për media më 24 korrik. “Ne e dimë se ku çojnë zakonisht këto shina… Kjo mund të çojë në një çekuilibër të sistemit të sigurisë në rajon”.

Edhe Irani ka shprehur kundërshtim të fortë ndaj çdo marrëveshjeje që, sipas tij, mund të rrezikojë kufirin e tij verior me Armeninë.

Një këshilltar i lartë i liderit suprem të Iranit, ajatollah Ali Khamenei, ka paralajmëruar shtetet “brenda ose jashtë rajonit” që të ndalojnë përpjekjet për krijimin e një korridori tokësor për Azerbajxhanin, i cili do të kalonte nëpër një rajon armen, në kufi me Republikën Islamike.

“Sërish disa qeveri, të pandjeshme ndaj interesave të tyre dhe të rajonit, kanë rikthyer çështjen e Korridorit të Zangezurit dhe po trokasin në çdo derë për të shtyrë përpara qëllimet e tyre të paligjshme në Kaukazin Jugor”, shkroi Ali Akbar Velayati në një postim në platformën X më 4 gusht, pasi mediat raportuan se Trump do të priste liderët e Armenisë dhe Azerbajxhanit në Shtëpinë e Bardhë.

Çështja e “Çmimit Nobel për Paqe”
Vëzhguesit kanë sugjeruar se takimi në Shtëpinë e Bardhë më 8 gusht mund të shërbejë si një mundësi për presidentin Trump për të forcuar përpjekjet e tij për Çmimin Nobel për Paqe.

Shtëpia e Bardhë ka pretenduar se Trump u dha fund me sukses disa konflikteve globale, përfshirë mosmarrëveshjet mes Tajlandës dhe Kamboxhias, Izraelit dhe Iranit, Ruandës dhe Republikës Demokratike të Kongos, Indisë dhe Pakistanit, Kosovës dhe Serbisë, si dhe Egjiptit dhe Etiopisë.

Megjithatë, siç tregon përvoja me mosmarrëveshjet e tjera të gjata si ai midis Kosovës dhe Serbisë, nënshkrimi i një marrëveshjeje nuk garanton paqe dhe stabilitet afatgjatë. Çështje të ndryshme vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura, duke përfshirë mosmarrëveshjet mbi kthimin e armenëve të shpërngulur nga Nagorno-Karabaku dhe fatin e ushtarëve armenë që ende mbahen si të burgosur lufte në Baku. Për më tepër, armiqësia mes dy vendeve – që është e gjatë mbi 40 vjet – vazhdon të pengojë pajtimin e vërtetë.

Një njoftim i mundshëm nga Armenia dhe Azerbajxhani në Uashington për një marrëveshje po ashtu pritet të përkojë me skadimin, më 8 gusht, të “ultimatumit” të Donald Trump ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, për përfundimin e luftës në Ukrainë. Vëzhguesit kanë thënë se besojnë që një përparim në Kaukaz mund të ndihmojë në kompensimin e një disfatë diplomatike, nëse Moska refuzon kërkesën e Uashingtonit.