Tifozat Kuq e Zi bëjnë thirrje për bojkot të ndeshjes ndaj Letonisë: “Kombëtarja po na përjashton”

Grupi i njohur i tifozëve shqiptarë, Tifozat Kuq e Zi (TKZ), ka reaguar ashpër ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), duke bërë thirrje për bojkot të ndeshjes kualifikuese ndaj Letonisë që do të luhet në Tiranë. Sipas tyre, FSHF ka ndërmarrë hapa të qëllimshëm për t’i përjashtuar nga stadiumi dhe për t’i margjinalizuar në mënyrë…

Sport

08/08/2025 10:08

Grupi i njohur i tifozëve shqiptarë, Tifozat Kuq e Zi (TKZ), ka reaguar ashpër ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), duke bërë thirrje për bojkot të ndeshjes kualifikuese ndaj Letonisë që do të luhet në Tiranë.

Sipas tyre, FSHF ka ndërmarrë hapa të qëllimshëm për t’i përjashtuar nga stadiumi dhe për t’i margjinalizuar në mënyrë politike, transmeton lajmi.net

TKZ thotë se ky nuk është rast i izoluar, por ndeshja e katërt radhazi ku ndihen të përjashtuar nga pjesëmarrja aktive si tifozë.

Ata e lidhin këtë qëndrim të FSHF-së me refuzimin që i kanë bërë bashkëorganizimit të Kampionatit Europian U21 me Serbinë, një vendim të cilin e kanë cilësuar si “turpërues dhe fyes për kombin”.

Grupi ka kritikuar gjithashtu edhe heshtjen e lojtarëve të Kombëtares, duke theksuar se nuk kërkojnë duartrokitje, por së paku një reagim kundër padrejtësisë. “Kombëtarja është e popullit, jo e sponsorëve, jo e klientelës,” thuhet në reagimin e tyre.

Për këtë arsye, TKZ i bën thirrje publikut që të mos marrë pjesë në ndeshjen ndaj Letonisë, duke e konsideruar si një akt simbolik kundër përdorimit të Kombëtares për interesa personale dhe komerciale nga ana e FSHF-së.

Njoftimi i plotë: 

Federata Shqiptare e Futbollit ka nxjerrë në shitje biletat për ndeshjen kualifikuese ndaj Letonisë në Tiranë dhe si për çudi, me çmime të ulëta, nga frika se do t’u mbesin karriget bosh. I njohim mirë këto lëvizje. Është ndeshja e katërt radhazi ku FSHF na ka përjashtuar haptazi, duke na margjinalizuar dhe stigmatizuar qëllimisht. Nuk është rastësi, është vendim politik inatçor!
Ky përjashtim nuk ka të bëjë me sjellje. Ka të bëjë me qëndrimin tonë. Ne patëm guximin të themi JO bashkëorganizimit të Kampionatit Europian U21 me Serbinë, në një kohë kur ky bashkëpunim fyes e turpërues u prezantua si sukses. Për këtë, TKZ është ndëshkuar dhe etiketuar. Kjo është e vërteta që duan ta fshehin.
Edhe më shqetësuese është heshtja e turpshme e lojtarëve të Kombëtares. Nuk presim të na duartrokasin. Por të paktën të mos harrojnë kush i ka ndjekur në çdo cep të Europës. Kush i ka ngritur kur janë rrëzuar. Kush ka derdhur zë dhe pasion për ta , pa pagesë, pa sponsorë, pa interesa. Sot, kur padrejtësia është e hapur, ata zgjedhin të heshtin dhe t’i shërbejnë qorrazi një federate që përjashton popullin nga Kombëtarja e vet.
Për këtë arsye, Tifozat Kuq e Zi ju ftojnë të #mosSHKONI ndaj Letonisë.
Jo ndaj fanellës, por ndaj atyre që e përdorin atë për interesa personale dhe që duan stadiume plot me heshtje.
Le t’i mbushë FSHF tribunat me modele që marrin bileta me një SMS. Le të kënaqet me versionin “VIP” të Kombëtares, ku bukuria vlen më shumë se zëri, dhe marketingu ka më shumë peshë se përkushtimi.
Kombëtarja është e popullit. Jo e sponsorëve. Jo e klientelës. Jo e zëdhënësve të heshtur./lajmi.net/