Policia kërkon të dyshuarin për tentim vrasje në Stanovc të Vushtrrisë

Policia e Kosovës ka publikuar fotografinë e një personi të dyshuar për përfshirje në një rast të vrasjes së rëndë në tentativë, që ndodhi para një jave në fshatin Stanovc të Vushtrrisë, ku një 27-vjeçar u plagos me armë zjarri.  Sipas Policisë Rajonale në Mitrovicën e Jugut, publikimi i të dhënave është bërë me autorizim…

Lajme

04/08/2025 15:23

Policia e Kosovës ka publikuar fotografinë e një personi të dyshuar për përfshirje në një rast të vrasjes së rëndë në tentativë, që ndodhi para një jave në fshatin Stanovc të Vushtrrisë, ku një 27-vjeçar u plagos me armë zjarri. 

Sipas Policisë Rajonale në Mitrovicën e Jugut, publikimi i të dhënave është bërë me autorizim të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, me qëllim lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit.

Ngjarja kishte ndodhur më 28 korrik rreth orës 18:00, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri, viktima kishte mbetur i plagosur dhe ishte dërguar për trajtim mjekësor.

Autoritetet konfirmuan se ai është jashtë rrezikut për jetë. Në vendin e ngjarjes ishin gjetur katër gëzhoja, ndërsa hetimet u drejtuan si “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë”. 

Policia njofton se është në kërkim të personit që dyshohet se ka shtënë me armë, dhe i bën thirrje qytetarëve që për çdo informacion të mundshëm, të lajmërojnë në stacionin më të afërt policor, përmes telefonit apo aplikacionit “Lajmëro Policinë”.