Elezi: Edhe dy javë kohë për dorëzimin e listës së kandidatëve për Zgjedhjet Lokale, të gjithë do të verifikohen
Vetëm edhe dy javë kanë mbetur afat për subjektet poliike për të dorëzuar aplikimin për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit dhe njëkohësisht për të dorëzuar listën me emrat e kandidatëve të tyre. Ky afat, që nisi më 26 qershor, do të përfundojë më 13 gusht 2025 dhe për mijëra kandidatë që pritet të…

Lajme
Vetëm edhe dy javë kanë mbetur afat për subjektet poliike për të dorëzuar aplikimin për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit dhe njëkohësisht për të dorëzuar listën me emrat e kandidatëve të tyre.
Ky afat, që nisi më 26 qershor, do të përfundojë më 13 gusht 2025 dhe për mijëra kandidatë që pritet të jenë në këto zgjedhje, do të ketë proces të verifikimit nëse janë në përputhje me ligjin.
Zëdhënësi i Komisionit Qendrot të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka shpjeguar se në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe në Ligjin për Zgjedhjet Lokale, ka një numër kriteresh të cilat duhet të plotësohen nga kandidatët në mënyrë që të mund të certifikohen.
“Afati i fundit për aplikim online në KQZ për certifikimin e subjekteve politike që duan të marrin pjesë në Zgjedhjet Lokale është data 13 gusht. Brenda këtij afati, subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë edhe listën me emrat e kandidatëve për kryetarë komunash dhe për anëtarë të kuvendeve komunale. Pra, kanë mbetur edhe dy javë deri në përmbylljen e këtij afati”, tha Elezi.
Sipas tij, “subjektet politike kanë të drejtën e plotë të vendosin në cilat komuna do të marrin pjesë në zgjedhje dhe të përcaktohen vetë nëse do të garojnë vetëm në Zgjedhje për Kryetar Komune ose për Kuvend Komunal apo për të dyja njëkohësisht në një komunë të caktuar”.
Përveç përmbushjes së kritereve nga subjektet politike për t’u certifikuar, sipas KQZ-së, kandidatët duhet të plotësojnë kritere që parashihen në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe në Ligjin për Zgjedhjet Lokale.
“Sipas nenit 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, një person nuk mund të certifikohet si kandidat nëse është: funksionar publik me status të veçantë, në bazë të ligjit në fuqi për zyrtarët publikë; anëtar i shërbimit të jashtëm dhe përfaqësues diplomatik; kryesues apo anëtar i KQZ-së dhe Komisionit Komunal të Zgjedhjeve; zyrtar i PZAP-së; me anë të vendimit të gjykatës, përfshirë edhe vendimin e PZAP-it, i është hequr e drejta për të qenë kandidat. Po ashtu, i njëjti nen, parasheh që një person nuk ka të drejtë kandidimi në zgjedhje, nëse: është dënuar në tri (3) vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv; ka dështuar të paguajë gjobën e vënë nga PZAP-i, apo KQZ-ja; ose ka dështuar t’i përmbahet ndonjë urdhri të PZAP-it”, tha Elezi.
“Përveç kushteve që kërkohet të plotësohen në nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, në nenin 9, paragrafin 2 të Ligjit për Zgjedhjet Lokale kërkohet që kandidati për Kryetar të Komunës të ketë qenë për së paku 3 vite banor i komunës në të cilin ai/ajo është duke garuar për t’u zgjedhur si Kryetar i Komunës”, shpjegoi ai.
Sipas KQZ-së, verifkimi i përshtatshmërisë së kandidatëve sipas nenit 30, do të bëhet në bashkëpunim me institucione të ndryshme, ku do të dorëzohen kërkesat e veçanta së bashku me listat e kandidatëve.
“Këshilli Gjyqësor i Kosovës është njëri prej institucioneve që KQZ-ja do të kërkojë verifikim të kandidatëve. Në nenin 30 të ligjit për zgjedhje të përgjithshme, theksohet se kandidat nuk mund të jetë një person nëse “është dënuar në 3 vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv”. Prandaj, me qëllim të zbatimit të këtij përcaktimi ligjor, KQZ do të kërkojë nga KGjK-ja që të verifikojë listën e kandidatëve nëse ndonjëri prej tyre nuk është në përputhje me këtë kufizim ligjor”, tha Elezi.
Më 12 tetor 2025 do të mbahen zgjedhjet lokale të rregullta, të cilat janë të tetat me radhë për kuvende komunale dhe të gjashtat me radhë për kryetarë të komunave.