Bajrami: ZRrE-ja ta pezullojë vendimin në përputhje me vendimet e Gjykatës, ndryshe, Prokuroria duhet të zbarkojë në zyret e tyre

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), që parasheh përjashtimin e rreth 1300 bizneseve nga shërbimi universal i furnizimit me energji elektrike. Në një postim publik, Bajrami ka kërkuar që ZRrE-ja ta pezullojë menjëherë këtë vendim, duke e konsideruar të domosdoshme që të veprohet në…

Lajme

30/07/2025 23:44

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), që parasheh përjashtimin e rreth 1300 bizneseve nga shërbimi universal i furnizimit me energji elektrike.

Në një postim publik, Bajrami ka kërkuar që ZRrE-ja ta pezullojë menjëherë këtë vendim, duke e konsideruar të domosdoshme që të veprohet në përputhje me aktvendimet e Gjykatës, derisa të merret një vendim përfundimtar mbi këtë çështje.

Ajo ka paralajmëruar edhe ndërhyrje nga organet e drejtësisë, nëse ky vendim nuk pezullohet në kohë. “Përndryshe, nesër, para datës 1 gusht, Prokuroria duhet të zbarkojë në zyrën e ZRrE-së dhe t’i pyesë: për interesat e kujt po punojnë ata aty?”, ka shkruar deputetja, duke e përmbyllur reagimin e saj me fjalët: “S’ka rrugë tjetër. Pikë.”

Vendimi i ZRrE-së është kundërshtuar më herët edhe nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit, të cilët e konsiderojnë të nxituar dhe të rrezikshëm për stabilitetin financiar të bizneseve vendore.

Postimi i plotë: 

ZRrE-ja duhet ta pezullojë vendimin për përjashtimin e rreth 1300 bizneseve nga shërbimi universal i furnizimit me energji elektrike, në përputhje me vendimet e Gjykatës, deri në vendimin përfundimtar.
Përndryshe, nesër, para datës 1 gusht, Prokuroria duhet të zbarkojë në zyrën e ZRrE-së dhe t’i pyesë: për interesat e kujt po punojnë ata aty?
S’ka rrugë tjetër. Pikë./lajmi.net/