Manipulime me gjobat në trafik, IPK zbulon 55 raste me të dhëna të ndryshuara

Inspektorati Policor i Kosovës ka publikuar sot një raport të jashtëzakonshëm inspektimi, ku janë zbuluar mospërputhje serioze ndërmjet të dhënave të radarëve dhe atyre në gjoba të shqiptuara nga policia. Raporti ngre dyshime për keqpërdorim të mundshëm të detyrës zyrtare nga disa zyrtarë policorë, raporton lajmi.net Nga analiza e 84 gjobave, IPK identifikoi katër lloje…

Lajme

30/07/2025 09:40

Inspektorati Policor i Kosovës ka publikuar sot një raport të jashtëzakonshëm inspektimi, ku janë zbuluar mospërputhje serioze ndërmjet të dhënave të radarëve dhe atyre në gjoba të shqiptuara nga policia.

Raporti ngre dyshime për keqpërdorim të mundshëm të detyrës zyrtare nga disa zyrtarë policorë, raporton lajmi.net

Nga analiza e 84 gjobave, IPK identifikoi katër lloje kryesore të mospërputhjeve, përfshirë: regjistrim të ulët të shpejtësisë në gjobë krahasuar me atë të radarit (55 raste), kufizim të pasaktë të shpejtësisë (23 raste), shkelje të gabuar të evidentuar (3 raste), dhe aplikim të gabuar të ligjit (3 raste).

IPK e konsideron këtë si një dobësi serioze në sistem dhe ka dhënë 7 rekomandime për përmirësim, përfshirë trajnime për zyrtarët, udhëzues për përdorimin e teknologjisë, forcim të kontrollit të të dhënave dhe transparencë më të madhe në procesin e shqiptimit të gjobave.

Njoftimi i plotë i IPK-së:

Inspektimi ka vënë në pah përveç tjerash se ka dobësi/të meta në pasqyrimin e të dhënave në gjoba në raport me shkeljet dhe që këto sjellin dyshime se mund të abuzohet gjatë kryerjes së detyrës zyrtare

Prishtinë/Hajvali, 30 Korrik 2025

Departamenti i Inspektimit në kuadër të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) ka publikuar Raportin e inspektimit të jashtëzakonshëm në fushën “Përdorimi i teknologjisë për matjen e shpejtësisë së lëvizjes së mjeteve në trafik”.

Inspektimi është realizuar me kërkesë të Kryeshefit Ekzekutiv të IPK-së, për të vlerësuar praktikat e përdorimit të pajisjeve digjitale për matjen e shpejtësisë së lëvizjes së mjeteve si dhe bazuar në informacionet që IPK kishte pranuar se zyrtarët policorë për arsye të ndryshme nuk i gjobisin kundërvajtësit për shkeljet që i kanë kryer. Inspektimi ad hoc ka ofruar mundësi për t’u njohur me përdorimin efektiv të këtyre pajisjeve dhe për të verifikuar nëse njësitë e trafikut i ekspozohen abuzimeve të mundshme.

Objektivat e këtij inspektimi kanë qenë: identifikimi i teknologjisë për matjen e shpejtësisë së lëvizjes së mjeteve në rrugë, vlerësimi i përdorimit racional dhe efektiv të pajisjeve në rastet e rrezikimit të trafikut nga ngasësit që nuk respektojnë kufizimet për shpejtësinë e lejuar, si dhe vlerësimi i përputhjes së numrit të matjeve në raport me numrin e kundërvajtjeve dhe gjobave të shqiptuara.

Inspektimi ka vënë në pah se ka dobësi/të meta në pasqyrimin e të dhënave në gjoba në raport me shkeljet dhe që këto sjellin dyshime se mund të abuzohet gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Gjatë krahasimit të të dhënave në gjoba dhe atyre të regjistruara në radar gjatë inspektimit janë hasur katër natyra të mospërputhjeve:

–          Shpejtësia e lëvizjes së mjetit e përshkruar në gjobë është më e ulët se ajo e regjistruar në radar (në 55 nga 84 mostra/gjoba);

–          Shpejtësia e kufizuar në radar ndryshon nga ajo e regjistruar në gjobë (në 23 nga 84 mostra)

–          Lloji i shkeljes në gjobë ndryshon nga ajo e matur me radar (në 3 nga 84 mostra)

–          Shqiptohet gjobë për tejkalim të shpejtësisë në bazë të një neni (paragrafi) jo adekuat të ligjit (në 3 nga 84 mostra)

Gjetjet e këtij inspektimi janë me interes për nivelet drejtuese dhe operative të strukturave policore të Divizionit të Trafikut Rrugor, përfshirë Njësitë Rajonale të Trafikut Rrugor dhe Njësinë për Kontrollin e Autostradave.

IPK në kuadër të Raportit ka dhënë shtatë (7) rekomandime, që kanë të bëjnë me nevojën e nxjerrjes së një udhëzuesi lidhur me përdorimin e pajisjeve për matjen e shpejtësisë së lëvizjes, mbajtjen e një trajnimi shtesë për të pajisur personelin me njohuri të mjaftueshme, ushtrimit të kontrolleve në drejtim të eliminimit të dobësive sa i përket vendosjes së të dhënave në pajisjet e matjes, ushtrimit të kontrolleve në drejtim të eliminimit të praktikave të dëmshme gjatë shqiptimit të gjobave për kundërvajtje, përdorimit efektiv të automjeteve me pajisje inteligjente, monitorimit të procesit të shkarkimit dhe ruajtjes së materialeve të regjistruara nga pajisjet, aplikimit të praktikës së printimit të kundërvajtjeve, etj./Lajmi.net/