“Jam gru gur”– Fitore Pacolli tash i “gjuhet” AGK-së pas reagimit për sulmin ndaj gazetares Foniqi
Pas reagimit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), i cili e dënoi ashpër sulmin publik të deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ndaj gazetares së RTK-së, Blerta Foniqi-Kabashi, deputetja Pacolli ka reaguar sërish – kësaj here duke i drejtuar gishtin vetë AGK-së. Në një postim të ri në rrjetet sociale, Pacolli përdor tone të…

Lajme
Pas reagimit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), i cili e dënoi ashpër sulmin publik të deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ndaj gazetares së RTK-së, Blerta Foniqi-Kabashi, deputetja Pacolli ka reaguar sërish – kësaj here duke i drejtuar gishtin vetë AGK-së.
Në një postim të ri në rrjetet sociale, Pacolli përdor tone të forta, duke i akuzuar mediat dhe një gazetare (të cilën nuk e përmend me emër) për justifikim të dhunës ndaj grave, ndërsa i kërkon publikisht AGK-së që të reagojë edhe për këtë rast.
“Kur një televizion i jep hapësirë dhunuesit, dhe një gazetare i thotë viktimës: ‘Nuk u sulmove pse je grua’”, shkruan Pacolli në nisje të postimit.
Ajo thekson se dhuna ndaj grave nuk ndodh vetëm në familje, por edhe në hapësirën publike, në media dhe në politikë – veçanërisht ndaj grave që “guxojnë të jenë të zëshme, të angazhuara dhe të pavarura”.
“Dhuna ndaj grave nuk ndodh vetëm brenda familjes. Ajo ndodh edhe në media, në politikë, në hapësirën publike e sidomos ndaj grave që guxojnë të jenë të zëshme, të angazhuara dhe të pavarura.”
Duke e akuzuar televizionin publik se “çdo ditë i jep hapësirë një dhunuesi”, Pacolli shton se reagimet që mohojnë sulmin me bazë gjinore janë justifikim i dhunës ndaj grave.
“Po kjo është pikërisht mënyra si justifikohet dhuna ndaj grave në publik. Kështu i jepet alibi ‘burrave’ që sulmojnë. Kështu heshtet viktima dhe përkrahet dhunuesi.”
Ajo më pas ngre pyetje drejtuar organizatave që mbrojnë të drejtat e grave dhe monitorojnë median, duke i akuzuar për heshtje të qëllimshme.
“Ku janë organizatat që thonë se mbrojnë të drejtat e grave?
Ku janë organizatat që monitorojnë mediat dhe etikën gazetareske?”
“Heshtja ndaj kësaj dhune sistematike e të vazhdueshme është bashkëpunim.”
Në fund të postimit, Fitore Pacolli i drejtohet drejtpërdrejt AGK-së me një kërkesë të hapur:
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK reago edhe për këtë.”
Postimi përfundon me një deklaratë personal:
“As nuk më zbrapsni, as nuk më thyeni.
Jam gru gur.”