“Facebook-u ma kujtoi sulmin seksist të burrit tuaj” – përplasen Deliu e Haxhiu

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, riktheu në vëmendje një sulm seksist të bashkëshortit të ministres në detyrë, Albulena Haxhiut, që ndodhi para tetë vjetësh. Ajo e publikoi këtë mesazh në Facebook, duke theksuar se, për fat të keq, ngjarja nuk mori kurrë trajtimin e duhur institucional. Nga ana tjetër, siç thotë Deliu-Kodra, kritikat ndaj Fitore…

Lajme

28/07/2025 22:32

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, riktheu në vëmendje një sulm seksist të bashkëshortit të ministres në detyrë, Albulena Haxhiut, që ndodhi para tetë vjetësh.

Ajo e publikoi këtë mesazh në Facebook, duke theksuar se, për fat të keq, ngjarja nuk mori kurrë trajtimin e duhur institucional. Nga ana tjetër, siç thotë Deliu-Kodra, kritikat ndaj Fitore Pacollit për të cilën ministrja reagoi mbrëmjen e sotme, lidhen me korrupsionin kronik që ka kapluar vendin nga pushteti.

“Znj, Albulena Haxhiu, Sot, rastësisht, Facebook më kujtoi sulmin seksist që më është bërë nga bashkëshorti juaj, pikërisht më 28 korrik, para 8 vitesh. Për fat të keq, kjo ngjarje nuk ka marrë kurrë trajtimin e duhur institucional. Ndërsa kritikat ndaj Fitore Pacollit janë për korrupsionin kronik që e ka kapluar vendin nga pushteti i juaj. Askush nuk po e sulmon Fitoren për shkak te gjinisë së saj, por për dyshimet e bazuara për keqpërdorim. Kaq e thjesht është kjo punë”, shkroi Deliu-Kodra.

Pas këtij postimi, reagoi edhe ministrja në detyrë, njëherësh kandidate e VV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu e cila tha: “Paska reaguar Blerta Deliu-Kodra. Nuk do të isha marrë fare me të, po të mos ishte deputetja më konsistente në mbështetjen e të gjitha marrëveshjeve të dëmshme që janë sjellë në Kuvendin e Kosovës”.

Tutje, sipas asaj që shkruan Haxhiu, ajo që e rëndon më së shumti atë, është “është kundërshtimi i saj i ashpër ndaj ndryshimeve që synonin njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”.

“Vetëm pas një kërkimfaljeje të sinqertë për votimin e marrëveshjeve si ajo për Zajednicën, Gjykatën Speciale, Demarkacionin, amnistimin e kriminelëve serbë dhe refuzimin për të njohur viktimat e dhunës seksuale, mund ta marr seriozisht çdo reagim të saj”, përfundon postimi i Haxhiut.