Metaj: Kishim dy ditë të rënduara me zjarrin, tash 12 vatra aktive

Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë për Menaxhimin Emergjent, Genc Metaj tha se dy ditët e kaluara në Kosovë ka qenë situatë e rënduar kur të shtunën ka pasur 101 vatra zjarri e të dielën 81 vatra. Ndërkohë, ka treguar ai se nga ora 20:00 e mbrëmjes të së dielës deri në orët e mëngjesit kanë qenë…

Lajme

28/07/2025 19:55

Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë për Menaxhimin Emergjent, Genc Metaj tha se dy ditët e kaluara në Kosovë ka qenë situatë e rënduar kur të shtunën ka pasur 101 vatra zjarri e të dielën 81 vatra.

Ndërkohë, ka treguar ai se nga ora 20:00 e mbrëmjes të së dielës deri në orët e mëngjesit kanë qenë 41 vatra të zjarrit në Kosovë.

Tregoi se ende janë 12 vatra zjarri aktive e sipas tij, gjithë ky numër zjarresh që kanë qenë, shumica janë lokalizuar me sukses ndonëse kanë qenë vatra të mëdha e të vështira.

“Ajo që është me rëndësi është se nuk kanë humbje jetësh në momentet e fundit, sepse dy javë më herët kemi humbur një zjarrfikës e një qytetar që ka vdekur në komunën Klinës. Në ditët e fundit me gjithë këtë numër të madh të zjarreve aktive, zjarreve të mëdha duke pasur për bazë erërat e forta thatësira e temperaturat e larta janë zjarrfikësit ata të cilët kanë qenë forca kryesore reaguese e janë më meritoret që është tejkaluar kjo situatë në këto momente”.

Tutje, Metaj ka bërë apel te qytetarët që të jenë të kujdesshëm që të lajmërojnë rastet ndërsa, ata që shkaktojnë zjarrëvënie të qëllimshme të marrin dënimin e merituar.

Ai tha se beson që shumica e zjarrëvënieve janë të qëllimshme.

“Ne me Policinë e Kosovës jemi në koordinim e të gjitha vatrat kudo që shfaqen e njoftojmë policinë e ata i zhvillojnë hetimet. Javën e kaluar anë qenë 63 raste të iniciuara e 9 kanë qenë të arrestuar, e këto ditë janë arrestuar edhe të tjerë, por kjo çështje është në kompetencë të policisë”, tha Metaj./rtk