Pesha e sklerozës multiple në Kosovë: Mbi 40 raste të reja për gjysmë viti

Çdo vit në Kosovë, dhjetëra familje përballen me sfidën e sklerozës multiple. Sipas përkufizimit të Klinikës prestigjioze amerikane, Mayo, kjo sëmundje, që ndryshe njihet edhe si skleroza e shumëfishtë, dëmton mbulesën mbrojtëse të nervave. Mund të shkaktojë mpirje, dobësi, vështirësi në ecje, ndryshime në të parë dhe simptoma të tjera, të cilat, me kohë, mund…

Lajme

28/07/2025 17:00

Çdo vit në Kosovë, dhjetëra familje përballen me sfidën e sklerozës multiple.

Sipas përkufizimit të Klinikës prestigjioze amerikane, Mayo, kjo sëmundje, që ndryshe njihet edhe si skleroza e shumëfishtë, dëmton mbulesën mbrojtëse të nervave.

Mund të shkaktojë mpirje, dobësi, vështirësi në ecje, ndryshime në të parë dhe simptoma të tjera, të cilat, me kohë, mund të shndërrohen edhe në pengesa të përditshme për një jetë normale.

Për Bekimin, gjithçka nisi papritur. Ishte vetëm 27 vjeç, duke punuar si kamerier, kur në vitin 2015 mori diagnozën që do t’i ndryshonte jetën përgjithmonë.

“Fillimisht, kisha probleme me këmbën – dhimbje dhe një ndjesi shtrëngimi që nuk kalonte”, kujton ai në një rrëfim për Radion Evropa e Lirë.

Shqetësimet fizike u shoqëruan me pasiguri të thellë.

Iu deshën shumë kontrolle, vizita tek ortopedë, mjekë vaskularë e specialistë të tjerë, por askush nuk po arrinte të gjente shkakun e dhimbjes që e lodhte çdo ditë.

Pas shumë analizash, një nga mjekët e dërgoi te një neurolog.