Matoshi i Nismës: LDK nëse e ka refuzuar VV’në duhet ta pranojë një ofertë tjetër
Pasi dështuan të shtunën të konstituojnë Kuvendin, Gjykata Kushtetuese prej sot, 27 korrik, deri më 8 gusht 2025, ua ka ndaluar deputetëve të kenë vendimmarrje, duke vendosur masë të përkohshme pas ankesave të PDK-së dhe LDK-së për mbarëvajtjen e seancës konstituive nga kryesuesi, deputeti i LVV-së, Avni Dehari. Për të mos ardhur në këtë gjendje,…

Lajme
Pasi dështuan të shtunën të konstituojnë Kuvendin, Gjykata Kushtetuese prej sot, 27 korrik, deri më 8 gusht 2025, ua ka ndaluar deputetëve të kenë vendimmarrje, duke vendosur masë të përkohshme pas ankesave të PDK-së dhe LDK-së për mbarëvajtjen e seancës konstituive nga kryesuesi, deputeti i LVV-së, Avni Dehari.
Për të mos ardhur në këtë gjendje, anëtari i kryesisë së Nismës Socialdemokrate, Fatmir Matoshi, thotë për KosovaPress se partia e tij është treguar konstruktive duke kërkuar nga subjektet politike të ulen dhe të gjejnë gjuhë të përbashkët për krijimin e një shumice parlamentare që do të zgjidhte trupat e Kuvendit si dhe qeverinë e ardhshme, qoftë nga LVV-ja apo partitë që deri tani kanë qenë në opozitë.
“Jemi në një situatë shumë të pafavorshme për vendin, duhet t’i thërrasim arsyes secili, duhet të heqë dorë secili prej ndonjë interesi të vet ose të subjektit të vet politik, në mënyrë që të arrijmë të krijojmë një shumicë parlamentare. Kjo s’do të thotë ndoshta veç me Lëvizjen Vetëvendosje, mund edhe subjektet që tash janë në opozitë. Por Lidhja Demokratike, nëse ka refuzuar ofertën e Lëvizjes Vetëvendosje, atëherë duhet të pranojë një ofertë tjetër. Jemi tash në një situatë kur 20 deputetë të Lidhjes Demokratike nuk mund të llogariten në asnjë krah. I kemi edhe nëntë deputetë të Listës Serbe, të cilët nuk i llogarit askush. Do të thotë, ne po tentojmë të krijojmë shumicë prej 61 deputetëve me 91 deputetë, sepse njëzet e nëntë janë jashtë loje”, thekson ai.