Pezullohet nga detyra oficeri i policisë në Vlorë që rrahu kamarierin 18-vjeçar

Një situatë e paprecedentë ndodhi në Vlorë një natë më parë, ku një officer policie dhunoi një kamarier. Sipas njoftimit zyrtar, pas përfshirjes jashtë orarit të shërbimit në një konflikt fizik, në ambientet e një lokali në lagjen “Pavarësia 2”, Vlorë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka urdhëruar pezullimin…

Lajme

27/07/2025 12:46

Një situatë e paprecedentë ndodhi në Vlorë një natë më parë, ku një officer policie dhunoi një kamarier.

Sipas njoftimit zyrtar, pas përfshirjes jashtë orarit të shërbimit në një konflikt fizik, në ambientet e një lokali në lagjen “Pavarësia 2”, Vlorë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra, deri në sqarimin e plotë të rrethanave, të oficerit të Policisë Kufitare Dibër.

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur ndaj Nënkomisar Ardian Isufi, me detyrë Oficer Policie në Komisariatin e Policisë Kufitare Dibër, procedurën disiplinore të rëndë, bazuar në Ligjin nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, që parashikon masa për:

-raste të sjelljeve që diskreditojnë imazhin dhe dëmtojnë besimin e publikut tek Policia e Shtetit, të kryera jashtë ushtrimit të detyrës;

-kryerjen e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të policisë, institucionit apo shërbimit policor në tërësi.

Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se Nënkomisar Isufi, jashtë shërbimit dhe në shoqërinë e shtetasit Laert Bimo 57 vjeç, banues në lagjen “Pavarësia”, Vlorë, është konfliktuar fillimisht fizikisht me shtetasin A. B., 18 vjeç. Pas përshkallëzimit të konfliktit, janë përfshirë edhe shtetasit V. B., 53 vjeç, pronar i një hoteli në lagjen “Pavarësia 2”, dhe E. M.

Aktualisht, Nënkomisari ndodhet i shtruar në Spitalin Rajonal Vlorë.