Bekë Berisha: Më vjen keq që Kosova po hyn nga sonte në të panjohurën

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, ka ritheksuar se vota e tij për kandidatin e VV-së për kryetar të Kuvendit do të mund të merrej vetëm në rast të një votimi të hapur. Ai ka qenë i qartë se nuk do të japë votë në votim të fshehtë, duke theksuar se nuk do të lejojë që…

Lajme

26/07/2025 21:56

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, ka ritheksuar se vota e tij për kandidatin e VV-së për kryetar të Kuvendit do të mund të merrej vetëm në rast të një votimi të hapur.

Ai ka qenë i qartë se nuk do të japë votë në votim të fshehtë, duke theksuar se nuk do të lejojë që të keqpërdoret sinqeriteti dhe vullneti i tij.

“E kam paraqitur votën time nëse kthehen në votim të hapur, si vullnet timin për ta zgjidhur këtë situatë. Unë nuk lejoj që të më keqpërdoret as sinqeriteti as vota ime”, ka thënë Berisha, transmeton lajmi.net

Deputeti opozitar shtoi se Vetëvendosje nuk mund të llogarisë në përkrahjen e tij për sa kohë që votimi mbetet i fshehtë, duke theksuar se qëllimi i tij nuk ka qenë pushteti, por zgjidhja e bllokadës politike që po zgjat prej muajsh.

“Nuk munden ata të llogarisin në votën time, sepse të gjithë po vrapojnë për të marrë pushtet. Unë vetëm kam dashur ta zgjidhim problemin dhe këtë situatë që është bërë bajat”, tha Berisha.

Ai shtoi se kryetari i VV-së, Albin Kurti, po të kishte vullnet real, do të mund ta zgjidhte ngërçin që sonte, por sipas tij, Kurti nuk është i interesuar për zgjidhje.

“Përndryshe, Kosova nuk është vetëm e imja dhe këtë problem mund ta zgjidh Albin Kurti tash me dashtë, por ky nuk po do të zgjidh problem. Më vjen keq që Kosova po hyn nga sonte në të panjohurën, nuk dihet çka do të ndodhë, është e mundur gjithçka”, theksoi ai.

“Unë nuk kam shpresë që do të ndodhë diçka sonte, do të shkojë ashtu si deri tash. Unë votë të fshehur nuk hyj andej”, përfundoi Berisha./lajmi.net/