Reçica: Seancat e natës janë bërë për Albin Kurtin shumë atraktive
Deputeti i PDK-së Elmi Reçica ka treguar pritjet e tij nëse do të ketë sonte konstituim të Kuvendit dy orë para përfundimit të afatit 30-ditorë nga Gjykata Kushtetuese, teksa ka komentuar edhe takimet e presidentes Vjosa Osmani sot me kryetarin e VV Albin Kurti dhe atë të Nisma Fatmir Limaj. Reçica ka thënë për KosovaPress…

Lajme
Deputeti i PDK-së Elmi Reçica ka treguar pritjet e tij nëse do të ketë sonte konstituim të Kuvendit dy orë para përfundimit të afatit 30-ditorë nga Gjykata Kushtetuese, teksa ka komentuar edhe takimet e presidentes Vjosa Osmani sot me kryetarin e VV Albin Kurti dhe atë të Nisma Fatmir Limaj.
Reçica ka thënë për KosovaPress se nuk pret të ketë një zgjidhje as në vazhdimin e seancës së radhës.
“Seancat e natës janë bërë për Albin Kurtin shumë atraktive. Nuk pres diçka. Normal, se ka pasur përpjekje të vazhdueshme, janë munduar, kanë tentuar të blejnë shumë nga deputetët, por nuk besoj se do të ketë diçka. E vetmja mundësi është që të tërhiqen nga ajo kandidaturë”, ka thënë ai.
Reçica ka folur edhe rolit të presidentes në daljen nga ngërçi institucional në të cilin ka hyrë vendi tash e sa muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
“Presidentja e ka të obliguar që të zhbllokojë gjendjen në Parlament të Kosovës, sepse edhe ajo e ka detyrim kushtetues. Nuk besoj se do të jetë presidentja në gjendje të tillë që të krijojë një gjendje të favorshme për të bërë një zgjidhje… Ajo duhet t’i ftojë të gjitha partitë ndaras sikurse ka bërë herën e kaluar”, ka thënë Reçica.