A i takoi Osmani para seancës së orës 22:00 Kurtin e Limajn? – Presidenca, VV-ja e Nisma në heshtje, s’japin përgjigje!

Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar takime të ndara me dy udhëheqës kryesorë politikë – Albin Kurti, kreun e VV-së, dhe Fatmir Limaj, liderin e Nismës Socialdemokrate. Sipas burimeve të Klankosova.tv, këto takime kanë ndodhur vetëm disa orë para seancës së 54-të të Kuvendit, për përpjekjen për konstituimin e tij. Portali Lajmi.net përpiqej të…

Lajme

26/07/2025 20:34

Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar takime të ndara me dy udhëheqës kryesorë politikë – Albin Kurti, kreun e VV-së, dhe Fatmir Limaj, liderin e Nismës Socialdemokrate.

Sipas burimeve të Klankosova.tv, këto takime kanë ndodhur vetëm disa orë para seancës së 54-të të Kuvendit, për përpjekjen për konstituimin e tij.

Portali Lajmi.net përpiqej të siguronte konfirmime zyrtare nga Presidenca, Vetëvendosje apo Nisma lidhur me këto takime, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Qëndrimi i ngushtë kohor me ngjarjet në Parlament dhe mungesa e transparencës zyrtare kanë ngritur pyetje për natyrën dhe përmbajtjen e këtyre konsultimeve, në një moment vendimtar politik për vendin.

Në mungesë të informacionit zyrtar mbi temat e trajtuara në këto takime, nuk është e qartë nëse janë kryer përpjekje për të ndërmjetësuar gjetjen e një shumice parlamentare, apo për të analizuar skenarë alternativë për përfundimin e bllokadës institucionale.

Lëvizjet e fundit kanë shkaktuar reagime dhe spekulime në opinion rreth rolit të Presidencës dhe ndikimit të saj në stabilitetin politik me synim formimin e institucioneve./lajmi.net/