Trump pret arritjen e menjëhershme të paqes në mesin e konfliktit Tajlandë-Kamboxhia
Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me kryeministrin e Kamboxhias Hun Manet, në mesin e tensioneve ndërmjet dy vendeve të Azisë Juglindore për shkak të kontestit kufitar. Në një postim në Truth Social, presidenti Trump tha se ka informuar kryeministrin Manet mbi diskutimet që ai ka pasur me kryeministren në…

Bota
Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me kryeministrin e Kamboxhias Hun Manet, në mesin e tensioneve ndërmjet dy vendeve të Azisë Juglindore për shkak të kontestit kufitar.
Në një postim në Truth Social, presidenti Trump tha se ka informuar kryeministrin Manet mbi diskutimet që ai ka pasur me kryeministren në detyrë të Tajlandës Paetongtarn Shinawatra, raporton KosovaPress.
“Të dyja palët po kërkojnë një armëpushim dhe paqe të menjëhershme. Ato gjithashtu po kërkojnë të kthehen në “Tryezën e Tregtisë” me Shtetet e Bashkuara, gjë që ne mendojmë se është e papërshtatshme të bëhet derisa të ndalen luftimet. Ata kanë rënë dakord të takohen menjëherë dhe të arrijnë shpejt një armëpushim dhe, në fund të fundit, paqe”, ka shkruar Trump.
Presidenti amerikan tha se Tajlanda dhe Kamboxhia kanë një histori të pasur, dhe shpreson në arritjen sa më të shpejtë të paqes.
“Shpresojmë që do të shkojnë mirë për shumë vite që do të vijnë. Kur të mbarojë gjithçka dhe paqja të jetë afër, mezi pres të përfundoj marrëveshjet tona tregtare me të dyja vendet”.
Kryeministri i Kamboxhias, Hun Manet, tha të premten se kishte mbështetur një propozim të kryeministrit të Malajzisë për një armëpushim me Tajlandën.
Dy fqinjët e Azisë Juglindore janë aktualisht të përfshirë në luftimet e tyre më të ashpra në më shumë se një dekadë, të cilat Anwar Ibrahim i Malajzisë – gjithashtu kryetar i bllokut rajonal ASEAN – po kërkon t’i zgjidhë.
“Çelësi për zgjidhjen e konfliktit aktual të armatosur midis Tajlandës dhe Kamboxhias është gatishmëria e vërtetë e palës tajlandeze për të pranuar një armëpushim”, tha kryeministri kamboxhian në Facebook.
Të dy vendet ndajnë një kufi të gjatë dhe të pyllëzuar me zona që të dyja palët i pretendojnë. Ka pasur shkëmbime serioze zjarri edhe në të kaluarën – në vitin 2008 dhe 2011, përleshjet në një shkallë të ngjashme panë 40 persona të vrarë. Megjithatë, këto u qetësuan relativisht shpejt.
Edhe kohët e fundit, në maj të këtij viti, pas një incidenti në të cilin u vra një ushtar kamboxhian, të dyja palët dukeshin të etura për të parandaluar më shumë dhunë, me takime midis komandantëve të ushtrisë nga secili vend që synonin zbutjen e tensionit.
Por të enjten, shpërtheu. Autoritetet tajlandeze thanë se të paktën 15 persona, të gjithë civilë përveç njërit, ishin vrarë deri më tani, ndërsa luftimet vazhduan të premten. Të paktën një civil është vrarë në Kamboxhia, thanë autoritetet provinciale.
Tailanda dhe Kamboxhia kanë pasur një marrëdhënie të ndërlikuar në dekadat e fundit. Të dy vendet ndajnë një kufi tokësor prej 817 kilometrash, kryesisht të hartuar nga francezët ndërsa ata pushtuan Kamboxhian që ka parë periodikisht përplasje ushtarake dhe ka qenë burim tensionesh politike.