Guxo e VV “divorcohen” në Gjilan – Gërvalla prezanton Ilir Poroshticën, kandidatin për këtë komunë: Po hyn në garë për të fituar
Kryetarja e Partisë GUXO, Donika Gërvalla-Schwarz, ka zyrtarizuar kandidaturën e Ilir Poroshticës për kryetar të Komunës së Gjilanit në zgjedhjet e ardhshme lokale. Përmes një postimi publik, Gërvalla e ka përshkruar Poroshticën si një arkitekt të njohur, qytetar shembullor dhe profesionist të përkushtuar, i cili po hyn në garë me vendosmëri dhe qëllimin për të…

Lajme
Kryetarja e Partisë GUXO, Donika Gërvalla-Schwarz, ka zyrtarizuar kandidaturën e Ilir Poroshticës për kryetar të Komunës së Gjilanit në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Përmes një postimi publik, Gërvalla e ka përshkruar Poroshticën si një arkitekt të njohur, qytetar shembullor dhe profesionist të përkushtuar, i cili po hyn në garë me vendosmëri dhe qëllimin për të fituar, duke theksuar se “fituesit e vërtetë do të jenë qytetarët e Gjilanit”.
“Iliri është një sipërmarrës shumë i suksesshëm dhe një menaxher i shkëlqyer. Këtë përvojë dhe sukses ai dëshiron ta sjellë edhe në sektorin publik dhe për këtë i duhet besimi i qytetarëve të mrekullueshëm të Gjilanit,” ka shkruar Gërvalla.
Sipas saj, ndërtimi i një ekipi me personalitete me përvojë dhe profesionistë të fushave të ndryshme do të jetë një ndër synimet kryesore të kandidatit të GUXO-s.
“Gjilanit i duhet një ekip i tillë dhe një frymë e tillë. Dhe kjo frymë po vjen me Ilirin. Urime Gjilan!” përfundon ajo.
GUXO dhe VV ndaras në zgjedhjet për Gjilanin
Me këtë kandidaturë, bëhet e qartë se GUXO dhe Lëvizja Vetëvendosje do të garojnë me kandidatë të ndarë në Gjilan, ndryshe nga disa komuna të tjera ku mund të ketë bashkëpunim.
Lëvizja Vetëvendosje tashmë ka konfirmuar se Alban Hyseni, kryetari aktual i komunës, do të jetë kandidati i tyre për një mandat të dytë në zgjedhjet lokale.