Raport gjashtëmujor: Policia e Kosovës arrin objektivat dhe shënon rezultate pozitive
Policia e Republikës së Kosovës (PK), përmbush objektivat strategjike e specifike të parapara sipas planit zhvillimor strategjik dhe arrin rezultate pozitive në fusha të ndryshme, për këtë periudhë gjashtëmujore të këtij viti (janar-qershor 2025). Implementimi i objektivave strategjike, rezultatet pozitive të arritura në fusha të ndryshme, dëshmojnë përkushtimin e organizatës, menaxhmentit dhe të secilit zyrtar…

Lajme
Policia e Republikës së Kosovës (PK), përmbush objektivat strategjike e specifike të parapara sipas planit zhvillimor strategjik dhe arrin rezultate pozitive në fusha të ndryshme, për këtë periudhë gjashtëmujore të këtij viti (janar-qershor 2025).
Implementimi i objektivave strategjike, rezultatet pozitive të arritura në fusha të ndryshme, dëshmojnë përkushtimin e organizatës, menaxhmentit dhe të secilit zyrtar policor, në realizimin e planit të punës së Policisë.
Ndër objektivat dhe detyrat kryesore të PK-së, kanë qenë zbatimi i ligjit në mënyrë efikase dhe efektive, parandalimi dhe luftimi i të gjitha formave të kriminalitetit, mbikëqyrja dhe kontrolli i kufirit shtetëror, bashkëpunimi ndërkombëtar në fushën e zbatimit të ligjit si dhe ofrimi i shërbimeve për qytetarët pa dallim.
Bazuar në raportet zyrtare të kësaj periudhe kohore (gjashtëmujore), edhe pse ishte një periudhë kohore mjaft sfiduese dhe me angazhime të shumta, Policia e Kosovës me sukses ka përmbushur pritjet e parapara, duke realizuar qëllimet kryesore të objektivave strategjike.
Gjatë kësaj periudhe kohore është dëshmuar progres në garantimin e sigurisë publike në të gjitha segmentet e saj, siç kanë qenë parandalimi dhe ulja e shkallës së krimit dhe veprave penale, si dhe rritja e sigurisë së përgjithshme. Po ashtu rëndësi e veçantë i është kushtuar parandalimit të dukurive negative në shoqëri, duke e rritur partneritetin me qytetarë, institucione dhe shoqërinë civile.
Siguria e përgjithshme në Kosovë edhe gjatë kësaj periudhe kohore të këtij viti ka qenë kryesisht e qetë, e përcjellë me raste dhe incidente të natyrave të ndryshme, mirëpo Policia e Kosovës me vendosmërinë e saj ka arritur të menaxhojë situatën në mënyrën më profesionale të mundshme.
Gjatë periudhës raportuese (janar – qershor 2025), Policia e Kosovës ka evidentuar gjithsej 23,125 raste, prej të cilave 12,769 janë klasifikuar si vepra penale, ndërsa 10,356 raste janë klasifikuar si kundërvajtje dhe raste të natyrave të tjera. Si rezultat i punës zbulueshmëria e rasteve ka shënuar rritje.
Në vijim paraqesim numrin total të veprave penale dhe disa nga statistikat e krahasuese të krimit për këtë periudhë kohore gjashtë mujore (janar-qershor 2024/ 2025);
– Numri i veprave penale ka shënuar rënie nga 13.626 në 12.769 ose -6.28%.
– Zbulueshmëria ka shënuar rritje për 5.22%.
VRASJET DHE DISA NGA VEPRAT PENALE MË TË VEÇANTA
Statistikat krahasuese për periudhën gjashtëmujore të këtij viti me vitin e kaluar tregojnë rënie të numrit të veprave penale (VP.) në përgjithësi duke përfshirë:
– Numri i vrasjeve nuk ka ndryshim;
– Numri i lëndimeve të lehta ka shënuar rënie, nga 1,267, në 1,222, ose rënie për -3.55%;
– Numri i vjedhjeve ka shënuar rënie, nga 1,888, në 1,751, ose rënie për 7.25%;
– Numri i vjedhjeve të rënda ka shënuar rënie, nga 1,133 në 1,072, ose rënie për 5.38%;
– Numri i grabitjeve ka shënuar rënie, nga 45 në 36, ose rënie për 20%;
– Numri i rasteve të dhunës në familje ka shënuar rënie, nga 1,268 në 1,200, ose rënie për 5.36%.
Policia e Kosovës ka ndërmarrë një mori aktivitetesh policore, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të krimit, shkatërrimit të grupeve kriminale, ofrimit të sigurisë së qëndrueshme, si dhe kontrollin e mbikëqyrjen e kufirit, ku ka arritur rezultate të theksuara në luftimin ndaj fenomenit të narkotikëve, kontrabandës me migrantë si dhe kontrabandës së mallrave.
DISA NGA STATISTIKAT E HETIMEVE
GRUPE KRIMINALE
Policia është e përkushtuar për të mbrojtur kufijtë e vendit kundër një sërë kërcënimesh, duke përfshirë emigracionin e paligjshëm, trafikimin e qenieve njerëzore, kontrabandën e drogës dhe armëve si dhe terrorizmin.
Si rezultat i bashkëpunimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve të autoriteteve të MIK-ut, kufijtë e Republikës së Kosovës i kanë kaluar 14,291,186 persona, që krahasuar me vitin e kaluar tregon ngritje për 8.36%; kurse 4,624,528 mjetet motorike, që tregon ngritje për 8.76% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kjo tregon angazhimin dhe menaxhimin me sukses të qarkullimit kufitar.
Gjatë ofrimit të sigurisë së kufijve të Republikës së Kosovës, si rezultat i shkeljeve të ndryshme ligjore, pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë hapur 320 raste të veprave penale, 326 kundërvajtje, kanë shqiptuar 466 gjoba për kundërvajtje në fushën e migrimit dhe të huajve. Policia Kufitare ka arrestuar 337 persona për vepra të ndryshme kriminale, 931 persona me urdhëresa vendore dhe ka ndaluar 29 persona.
Siguria në trafikun rrugor gjithashtu ka qenë njëri ndër prioritetet për Policinë e Kosovës, ku Divizioni i Trafikut Rrugor ka hartuar dhe ka zbatuar (23) plane operative, ka arritur të sigurojë pajisje moderne për trafik, ka realizuar (43) fushata të ndryshme sensibilizuese, me qëllim të rritjes së sigurisë në trafik dhe parandalimit të aksidenteve.
Angazhimet e Policisë së Kosovës në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar, janë realizuar kryesisht përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (DBNP–ILECU), të cilat reflektojnë një nivel të lartë profesionalizmi dhe përkushtimi për të luftuar kriminalitetin ndërkufitar dhe për të forcuar sigurinë globale.
Përmes kanaleve zyrtare të komunikimit janë shkëmbyer gjithsej 10835 informacione ndërkombëtare si me: INTERPOL-in, EUROPOL-in, ndërlidhësit policorë, ambasadat, me shtete dhe organizata të ndryshme të sigurisë, duke kontribuar në koordinimin e suksesshëm të aktiviteteve policore.
Janë arrestuar trembëdhjetë (13) persona në Kosovë përmes bashkëpunimit me INTERPOL-in dhe EUROPOL-in, që përfshijnë individë të kërkuar për vepra të rënda penale, ndërsa janë realizuar gjithsej 39 ekstradime, prej tyre (15 persona janë ekstraduar nga RKS për në shtete të tjera, ndërsa 24 persona janë ekstraduar nga shtete e tjera për në RKS.
Këto rezultate dëshmojnë përkushtimin profesional të Policisë së Kosovës për të zbatuar ligjin dhe për të kontribuar në sigurinë globale. Niveli i bashkëpunimit ndërkombëtar është një dëshmi e integrimit të Kosovës në strukturat globale të zbatimit të ligjit dhe partneritetit të saj me organizata si INTERPOL-i dhe EUROPOL-i, duke forcuar rolin e saj si një aktor i besueshëm në luftën kundër kriminalitetit ndërkufitar.
Vazhdimësia e Policisë është thelbësore për ruajtjen e një sistemi të qëndrueshëm, efektiv dhe profesional të zbatimit të ligjit. Policia është e përkushtuar për të garantuar suksesin e saj afatgjatë dhe efikasitetin operacional, duke investuar vazhdimisht në personelin dhe infrastrukturën e saj. Gjatë kësaj periudhe janë punësuar 283 zyrtarë të uniformuar dhe 25 staf civil.
Përtej rekrutimit Polica ka prioritet zhvillimin e vazhdueshëm profesional të punonjësve të saj. Zyrtarëve policorë iu ofrohen rregullisht ricertifikime, trajnime dhe njohuri bashkëkohore në fushën e zbatimit të ligjit. Kjo përfshin trajnime mbi kornizat më të fundit ligjore, teknikat hetimore, shkathtësitë fizike, përparimet teknologjike dhe fusha të specializuara, si: krimi kibernetik, kundërterrorizmi dhe policimi në komunitet. Andaj, Policia gjatë këtij viti, përkundër angazhimeve të mëdha operacionale, ka arritur të organizojë dhe të administrojë gjithsej 620 trajnime për 5339 pjesëmarrës.
Policia e Kosovës, mbetet e përkushtuar që të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim, të vazhdojë primatin si një ndër institucionet më të besueshme dhe transparente në vend, gjithmonë duke respektuar aktet ligjore dhe normative, si dhe duke garantuar të drejtat themelore të njeriut