Prokuroria ngre aktakuzë për vrasjen e Sadri Sadriut, xhaxhai i Prindon Sadriut – Festim Ramadani akuzohet se e ekzekutoi me breshëri plumbash për hakmarrje
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj Festim Ramadanit, ish-zyrtar i Policisë së Kosovës, si dhe ndaj J.M., për veprën penale të vrasjes së rëndë ndaj Sadri Sadriut, xhaxhai i Prindon Sadriut, bashkëshort i Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Sipas aktakuzës, më 16 gusht 2024, në një ceremoni martesore në restaurantin “Fron…

Lajme
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj Festim Ramadanit, ish-zyrtar i Policisë së Kosovës, si dhe ndaj J.M., për veprën penale të vrasjes së rëndë ndaj Sadri Sadriut, xhaxhai i Prindon Sadriut, bashkëshort i Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.
Sipas aktakuzës, më 16 gusht 2024, në një ceremoni martesore në restaurantin “Fron Palace” në fshatin Bibaj të Ferizajt, Festim Ramadani dyshohet se ka qëlluar me breshëri plumbash viktimën Sadriu me armë zyrtare të policisë, duke e lënë të vdekur në vend. Akti dyshohet të jetë kryer me dashje dhe paramendim, për motive hakmarrjeje, ndërkohë që në vendngjarje ndodheshin dhjetëra persona, përfshirë edhe të mitur, transmeton lajmi.net
Në këtë ngjarje tragjike, J.M. akuzohet se e ka ndihmuar Ramadanin duke ruajtur zonën e sulmit me një mjet të fortë (sqepar), për të parandaluar çdo ndërhyrje.
Prokuroria ka kërkuar që të dy të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Komunikata e plotë e Prokurorisë Themelore në Ferizaj – Departamenti i Krimeve të Rënda:
Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton opinionin publik se ka ngritur aktakuzë kundër dy të pandehurve me inicialet: F.R., dhe J.M., nga Ferizaj, për shkak të dyshimit të bazuar të veprës penale “Vrasja e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri F.R. , më 16 gusht 2024, rreth orës 19:21, në parkingun e restaurantit “Fron Palace”, në fshatin Bibaj, komuna Ferizaj, gjatë një ceremonie martesore, me dashje dhe paramendim, me qëllim hakmarrjeje për motive të pretenduara familjare të pabazuara dhe të pakonfirmuara juridikisht, në prani të dhjetëra personave përfshirë të mitur, me armë zyrtare automatike të policisë, me qëllim të privimit nga jeta, me breshëri plumba shtiu në drejtim të viktimës S.S, duke e privuar nga jeta, ku, si pasojë e të shtënave është rrezikuar seriozisht edhe siguria e personave të tjerë të pranishëm. Me këtë veprim kreu veprën penale të “Vrasjes së rëndë” nga neni 173 paragrafi 1, nënparagrafët 1.8 dhe 1.11 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Kurse, i pandehuri J.M., më 16 gusht 2024, rreth orës 19:21, në fshatin Bibaj, në parkingun e oborrit të restaurantit “Fron Palace”, gjatë një ceremonie martesore, ka ndihmuar të pandehurin F.R. në privimin nga jeta të viktimës S.S., ashtu që, i pajisur me mjet të fortë (sqepar), ka mbrojtur perimetrin e sulmit dhe ka parandaluar çdo ndërhyrje, në mënyrë që i pandehuri F.R. të realizonte pa pengesë veprën penale të vrasjes së rëndë. Me këtë veprim, në ndihmë kreu veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1, nënparagrafët 1.8 dhe 1.11, lidhur me nenin 33 të KPRK-së.
Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit./lajmi.net/