Aksidenti në Livoq të Gjilanit, humb jetën një grua
Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur pasditen e së enjtes në rrugën e Prishtinës, afër pendës së liqenit të Livoqit, ku për pasojë ka humbur jetën një grua, ndërsa tre persona të tjerë kanë mbetur të lënduar. Sipas Policisë së Kosovës, aksidenti ka ndodhur më 17 korrik 2025, rreth orës 16:05, dhe janë përfshirë…

Lajme
Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur pasditen e së enjtes në rrugën e Prishtinës, afër pendës së liqenit të Livoqit, ku për pasojë ka humbur jetën një grua, ndërsa tre persona të tjerë kanë mbetur të lënduar.
Sipas Policisë së Kosovës, aksidenti ka ndodhur më 17 korrik 2025, rreth orës 16:05, dhe janë përfshirë dy vetura udhëtarësh me targa vendore, të cilat drejtoheshin nga dy meshkuj kosovarë.
Si pasojë e përplasjes, lëndime kanë pësuar dy drejtuesit e veturave dhe dy pasagjerë, të cilët fillimisht janë trajtuar në Qendrën Emergjente të Gjilanit, transmeton lajmi.net
Për shkak të lëndimeve të rënda, njëri nga drejtuesit dhe një pasagjere janë dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në QKUK në Prishtinë. Fatkeqësisht, pasagjerja ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Hetimet rreth shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit janë duke vazhduar.
Raporti i plotë:
AKSIDENT KOMUNIKACIONI ME FATALITET
Rr. Prishtinës te penda e liqenit të Livoqit, Gjilan / 17.07.2025 – 16:05.
Është raportuar se ka ndodhur aksident në komunikacion rrugor në mes të dy veturave udhëtarësh me targa vendore dhe drejtues meshkuj kosovarë. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar dy drejtuesit e veturave dhe dy pasagjerë të cilët kanë marrë ndihmë mjekësore në QE Gjilan. Për shkak të lëndimeve të rënda, drejtuesi i njërës veturë dhe pasagjerja femër kosovare janë dërguar në QKUK, ku si pasojë e plagëve të marra pasagjerja ka ndërruar jetë.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion./lajmi.net/