Sulmi i planifikuar i Serbisë në maj, vizita në SHBA, deklarata e Grenellit dhe ngërçi politik – Krejt çka tha dje presidentja Osmani në konferencë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë të gjatë për media të enjten, ka adresuar çështjen e kërcënimeve të mundshme nga Serbia ndaj Kosovës, duke u bazuar edhe në paralajmërimet e fundit të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, për një konflikt të mundshëm në rajon. Osmani tha se qytetarët nuk kanë arsye për frikë, duke…

Lajme

18/07/2025 08:18

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë të gjatë për media të enjten, ka adresuar çështjen e kërcënimeve të mundshme nga Serbia ndaj Kosovës, duke u bazuar edhe në paralajmërimet e fundit të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, për një konflikt të mundshëm në rajon.

Osmani tha se qytetarët nuk kanë arsye për frikë, duke theksuar se institucionet e sigurisë janë në krye të detyrës, transmeton lajmi.net

“I sigurojë qytetarët e Kosovës se nuk ka arsye as për shqetësim e as për panik, sepse institucionet tona janë në krye të detyrës për mbrojtjen e kufijve dhe të sigurisë së të gjithë qytetarëve tanë,” deklaroi ajo.

Ajo shtoi se kërcënimet nga Serbia janë të vazhdueshme, por shteti është i përgatitur për t’i përballuar ato në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë.

“Kërcënimet nga Serbia janë të vazhdueshme, megjithatë institucionet tona kanë gjithçka nën kontroll në bashkëpunim të ngushtë edhe me aleatët tanë.”

Presidentja theksoi se pas agresionit në Banjskë, është rritur prezenca e forcave të sigurisë në kufi, ashtu si edhe e trupave të KFOR-it, me qëllim të parandalimit të përshkallëzimit të situatës.

“Siç e dini, që nga akti i agresionit të Banjskës, edhe institucionet tona të sigurisë kanë rritur prezencën në mënyrë të parandalimit të këtyre eskalimeve, e po ashtu edhe KFOR-i e ka rritur prezencën në zonën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, me qëllim të ruajtjes së paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës.”

Ajo iu përgjigj kritikave që Kosova nuk ka informuar qytetarët për zhvillimet e fundit, duke thënë se Presidenca dhe institucionet tjera kanë dhënë informacione të vazhdueshme.

“Për ata që thonë se kinse qytetarët nuk kanë qenë të informuar për tendencat e vazhdueshme destabilizuese të Serbisë, përfshirë këto të fundit, dua të bëjë me dije se kjo çështje është trajtuar në dhjetëra komunikata e deklarata të Presidencës së Kosovës dhe është përmendur edhe në shumë deklarata të institucioneve tona të tjera.”

Osmani bëri të ditur se në fund të muajit maj kanë pranuar informacione të reja nga shërbimet e sigurisë për veprimet e Serbisë, dhe menjëherë pas kësaj ka mbajtur takime me institucionet përkatëse dhe aleatët ndërkombëtarë.

“Menjëherë pas marrjes së këtyre informatave kam pasur takime me institucionet e sigurisë që më raportojnë si presidente. Jemi siguruar që çdo institucion në Kosovë ka mobilizimin e duhur për mbrojtjen e vendit. Menjëherë kam ndarë këto informata me aleatët tanë të sigurisë, duke kërkuar mbështetjen e tyre për ta ndalur përshkallëzimin e planifikuar nga ana e Serbisë.”

Mbështetja e ShBA-së për Kosovën

Osmani tha se ka zhvilluar takime të rëndësishme në SHBA dhe Letoni, ku është konfirmuar përkrahja e fuqishme amerikane për shtetin e Kosovës dhe rrugën e saj euroatlantike.

“Në të gjitha këto takime pa dallim u konfirmua se ShBA-ja e shohin Kosovën si aleate strategjike. U rikonfirmua përkrahja për shtetin tonë, për sovranitetin e Republikës sonë, për integrimin euroatlantik, si dhe për anëtarësimin në Kombet e Bashkuara.”

“Gjatë këtyre takimeve kam pasë diskutime të rëndësishme dhe shumë konkrete edhe për hapjen e kapitujve të rinj në ekonomi mes Kosovës dhe ShBA-së, duke pasë parasysh potencialin tonë, sundimin e ligjit, luftën pa kompromis kundër krimit dhe mbrojtjen e kufirit.”

Ajo shtoi se Kosova ka përkushtim të plotë për të qenë kontribuese për sigurinë globale përmes anëtarësimit në NATO.

“Në këto takime kam folur edhe për Kosovën si eksportuese e sigurisë, mobilizimin tonë nëpërmjet rritjes së buxhetit të mbrojtjes, por edhe përkushtimin e palëkundur që të kontribuojmë për sigurinë globale me anëtarësimin në NATO.”

Deklaratat e Trump dhe reagimi i Osmanit

Presidentja komentoi edhe deklaratën e Donald Trump për një sulm të mundshëm ndaj Kosovës, duke theksuar se ajo që ka thënë ka qenë në kuadër të një vlerësimi pozitiv për përkushtimin e tij ndaj paqes globale.

“Kam thënë, mënyra se si e kuptojmë ne… nuk kam interpretuar deklarata të presidentit Trump, por e kam treguar si e kam kuptuar unë si Presidente e Republikës së Kosovës.”

“Ne e vlerësojmë rolin e presidentit Trump si njeri që punon ditë e natë për paqe në botë, e vlerësojmë jashtëzakonisht shumë këtë kontribut dhe tërë deklarata ime ka qenë në drejtim të vlerësimit të tij.”

Bllokada politike dhe mundësia për Kushtetuese

Në fund të konferencës, Presidentja Osmani u ndal edhe tek situata politike në vend, duke folur për bllokimin e konstituimit të institucioneve. Ajo paralajmëroi se nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje brenda fundjavës, do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

“Ne jemi duke përgatitur lëndën për Kushtetuese. Nëse edhe gjatë këtij vikendi nuk ka institucione, nuk ka ndonjë marrëveshje që mund të rezultojë me institucione të konstituuara, atëherë në fillim të javës ne i drejtohemi Kushtetueses.”

Ajo theksoi gjithashtu se nuk është në kompetencat e saj si Presidente të ndërmjetësojë në ndërtimin e koalicioneve.

“Nuk i takon presidentit/es që të negociojë për arritjen e koalicioneve mes partive.”/lajmi.net/