Momenti kur arrestohet Bojan Jevtiq, i dyshuari për spiunazh tek BIA serbe (PAMJE)
Një aksion i koordinuar ndërmjet Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Prokurorisë Speciale, ka çuar në arrestimin e një zyrtari të lartë policor nën dyshimet për spiunazh në shërbim të agjencisë serbe të inteligjencës (BIA). Operacioni i koduar me emrin “Informatori” nisi në orët e hershme të mëngjesit të…

Lajme
Një aksion i koordinuar ndërmjet Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Prokurorisë Speciale, ka çuar në arrestimin e një zyrtari të lartë policor nën dyshimet për spiunazh në shërbim të agjencisë serbe të inteligjencës (BIA).
Operacioni i koduar me emrin “Informatori” nisi në orët e hershme të mëngjesit të sotëm dhe është rezultat i një hetimi që ka zgjatur për më shumë se një vit. Prokurori i Prokurorisë Speciale, Bekim Kodraliu, ka autorizuar zbatimin e aksionit, ndërsa drejtimin operacional e ka marrë drejtori i Hetimeve në IPK, Bardhyl Haxhimustafa, transmeton lajmi.net
Objektivi: Shefi i Operativës në kufirin lindor
Targeti kryesor i aksionit ishte Bojan Jetviq, shef i operativës në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”, i cili dyshohet se ka shpërndarë informacione konfidenciale të Policisë së Kosovës me shërbimin inteligjent serb (BIA). Arrestimi i tij është bërë në rrugë, përpara se të arrinte në vendin e punës.
“Dyshimet janë të bazuara dhe të faktuara përmes punës hetimore të IPK-së dhe AKI-së. Kemi arritur të mbledhim prova të mjaftueshme për veprën penale të spiunazhit,” deklaroi drejtori Haxhimustafa.
Pamjet nga momenti i arrestimit të Bojan Jetviqit janë publikuar nga RTV Dukagjini, duke shfaqur aksionin e ndërmarrë në orët e hershme të mëngjesit nga hetuesit e IPK-së.
Bastisje në shtëpinë dhe vendin e punës së të dyshuarit
Menjëherë pas arrestimit, hetuesit e IPK-së kanë nisur bastisjen në banesën e Jetviqit në një fshat të Komunës së Kamenicës. Gjatë kontrollit janë sekuestruar dokumente të klasifikuara të Policisë së Kosovës, pajisje elektronike, përfshirë telefona të mençur dhe USB, si dhe një armë pa leje, 10,000 euro cash, 2 milionë dinarë serbë dhe 600 franga zvicerane.
Pas bastisjes në shtëpi, aksioni është zhvendosur në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”, ku është bastisur edhe zyra e të dyshuarit dhe është proceduar suspendimi i tij nga detyra për 72 orë, me rekomandim për suspendim të mëtejshëm deri në përfundimin e hetimeve.
Jetviq, 23 vjet në Policinë e Kosovës
Bojan Jetviq, i cili ka shërbyer për 23 vjet në Policinë e Kosovës, mbante gradën e togerit dhe kryesisht ishte aktiv në zonën e Anamoravës. Pas arrestimit, ai është dërguar në ambientet e IPK-së për t’u marrë në pyetje.
Prokuroria Speciale: “Operacion i suksesshëm falë bashkëpunimit ndërinstitucional”
Kryeshefi i IPK-së, Kushtrim Hodaj, e ka vlerësuar aksionin si shembull të mirë të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të sigurisë.
“Fillimisht, informacionet janë siguruar nga AKI-ja dhe më pas janë përpunuar në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale. Kjo ka çuar në ngritjen e dyshimit të arsyeshëm dhe ndërmarrjen e veprimeve konkrete,” tha Hodaj.
Ndërkohë, Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se të gjitha provat e sekuestruara do të ekzaminohen në detaje gjatë hetimit penal që tashmë është në rrjedhë.
Ky operacion vlerësohet si ndër më të rëndësishmit në luftën kundër infiltrimeve të shërbimeve të huaja brenda institucioneve të sigurisë së Kosovës./lajmi.net/