PDK i bënë thirrje Kurtit dhe ministrave t’i lirojnë funksionet ekzekutive e ti ndalin sulmet ndaj gjyqësorit: Prokuroria të jetë vigjilente

Deputeti i PDK-së, Altin Krasniqi sot pas përfundimit të seancës së 48-të konstituive të Kuvendit ka folur në lidhje me vendimin e Gjykatës Supreme e cila e ka shpallur të paligjshëm udhëzimin administrativ 01/2025 për pajisjet fiskale. Ai ka thënë se Ligji për Qeverinë e ndalon ushtrimin e funksioneve të dyfishta të ministrave që janë…

Lajme

17/07/2025 11:45

Deputeti i PDK-së, Altin Krasniqi sot pas përfundimit të seancës së 48-të konstituive të Kuvendit ka folur në lidhje me vendimin e Gjykatës Supreme e cila e ka shpallur të paligjshëm udhëzimin administrativ 01/2025 për pajisjet fiskale.

Ai ka thënë se Ligji për Qeverinë e ndalon ushtrimin e funksioneve të dyfishta të ministrave që janë edhe deputetë, shkruan lajmi.net.

“Gjykata ka vulosur një të vërtetë që ne e kemi theksuar që nga dita e parë, mbajtja e funksioneve të dyfishta është e kundërligjshme dhe jokushtetuese. Kjo është edhe arsyeja që në seancën e parë e kemi kundërshtuar edhe raportin për verifikimin e mandatit të deputetëve.  PDK i bënë thirrje Albin Kurtit dhe ministrave që janë njëkohësisht deputetë, që ta respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Supreme duke i liruar menjëherë funksionet ekzekutive për t’iu deleguar ato zëvendësve të tyre si dhe kërkon që ti ndalon sulmet ndaj gjyqësorit. I bëjmë thirrje Prokurorisë së shtetit që të jetë vigjilente dhe të merr veprimet e nevojshme për këtë vendim gjyqësor i cili është i menjëhershëm dhe i detyrueshëm”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë gjithashtu se nuk kemi qenë asnjëherë më parë dëshmitarë të një bllokade kaq të gjatë të Kuvendit të Kosovës e që sipas tij ka të bëj me teket dhe ambiciet e një individi.

“Kemi të bëjmë me një situatë të paprecedentë, një person që refuzon çdo përpjekje për marrëveshje. Në vend të dialogut dhe kompromisit, vlerave themelore të demorkacisë po përballemi me imponim dhe arrogancë politike. Qytetarët kanë votuar që ju si parti e parë të gjeni zgjidhjen për të udhëhequr vendin, ju kanë dhënë besimin që të gjeni zgjidhje për problemet e tyre jo për të bllokuar institucionet dhe për të mbajtur peng shtetin. Premtuat shpresë por keni sjellë zhgënjim, premtuat integrim por keni sjell izolim dhe sanksione, premtuat reforma në drejtësi por po tentoni ta nënshtroni atë për interesa politike. Sot pas 4 viteve pushtet, bilanci është i dhimbshëm, asnjë premtim nuk është përmbushur, në vend të progresit vendi po përjeton një regres shtetëror. E vetmja gjë që është rritur është zhgënjimi, polarizimi dhe ikja masive e të rinjve”, ka shtuar Krasniqi. /Lajmi.net.