OVL UÇK: Komuniteti ndërkombëtar mos të bie pre e narrativës së shtrembëruar të Speciales

Organizata e Veteranëve, Shoqata e Invalidëve dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së kanë bërë të ditur se e kanë ndjekur me vëmendje rrëzimin e mocionit të paraqitur nga mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara. Në reagimin e tyre thuhet se ky vendim është zhgënjyes dhe ngjall shqetësime serioze për drejtësinë…

Lajme

16/07/2025 14:36

Organizata e Veteranëve, Shoqata e Invalidëve dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së kanë bërë të ditur se e kanë ndjekur me vëmendje rrëzimin e mocionit të paraqitur nga mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara.

Në reagimin e tyre thuhet se ky vendim është zhgënjyes dhe ngjall shqetësime serioze për drejtësinë dhe paanshmërinë që kjo gjykatë pretendon ta përfaqësojë.

“Rrëzimi i mocionit është mesazh negativ për drejtësinë. Kur përballë fakteve, dëshmive dhe shkeljeve procedurale mohohet edhe një shqyrtim i drejtë i mocioneve mbrojtëse, krijohet përshtypja e një procesi të njëanshëm dhe të orientuar politikisht. Qëndresa jonë nuk do të ndalet”, thuhet në reagim.
Tutje, thuhet se “UÇK-ja dhe drejtuesit e saj nuk kanë nevojë për mëshirë, por për një gjykim të drejtë, të barabartë dhe të bazuar në të vërtetën historike të luftës për liri. Gjykata nuk mund të mbyllë sytë para realitetit që e njeh bota se UÇK-ja ishte forcë çlirimtare”.

“I bëjmë thirrje opinionit publik dhe komunitetit ndërkombëtar që të mos bien pre e një narrative të shtrembëruar. Kjo gjykatë po rrezikon të shndërrohet në mjet për rishkrim të historisë, e jo në garanci të drejtësisë. Në emër të të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë e Kosovës, do të qëndrojmë gjithmonë në mbrojtje të së vërtetës dhe të drejtave të bashkëluftëtarëve tanë”.

Ndryshe, trupi gjykues në çështjen ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, ka marrë vendim për rrëzimin e mocionit të përbashkët të ekipeve mbrojtëse për të rrëzuar pjesë të caktuara të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Trupi gjykues nuk është bindur që mocioni mund të rrëzojë pjesë të caktuara të aktakuzës.

“Trupi gjykues rrëzon mocionin e mbrojtjes sipas rregullit 130 në tërësinë e vet, duke marrë parasysh sa më lart, trupi gjykues nuk është e nevojshme të shkojmë në themelësinë e argumenteve të mbrojtjes sa i takon periudhës së fillimit dhe përfundimit të konfliktit të armatosur jo kombëtar”, theksoi kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Ish-krerët Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga viti 2020.