Veturat e braktisura në bodrumin e MASHTI-it? Ministria reagon: Janë jashtë përdorimit
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka reaguar ndaj shkrimit të gazetës Nacionale, i cili flet për gjendjen e mjerueshme të disa veturave të kësaj ministri që janë blerë me para publike. Në reagim MAShTI thekson se materiali i publikuar nuk pasqyron në mënyrë reale gjendjen faktike të automjeteve në pronësi të kësaj…

Lajme
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka reaguar ndaj shkrimit të gazetës Nacionale, i cili flet për gjendjen e mjerueshme të disa veturave të kësaj ministri që janë blerë me para publike.
Në reagim MAShTI thekson se materiali i publikuar nuk pasqyron në mënyrë reale gjendjen faktike të automjeteve në pronësi të kësaj ministrie.
Ndonëse gazeta i kishte dërguar ministrisë pyetjet rreth kësaj çështje në fillim të javës, MASHTI kishte heshtur deri në publikimin e videos ku shihet gjendje e mjerueshme e veturave të blera me taksa të qytetarëve të Kosovës.
“Sa i përket tri veturave që shfaqen në video dhe që aktualisht nuk janë në përdorim, sqarojmë se ato janë nga viti 2002 dhe janë të çregjistruara dhe të evidentuara si jashtë funksionit. Për këto mjete është në proces zbatimi procedura ligjore për largimin e tyre sipas rregullores përkatëse dhe legjislacionit në fuqi. MAShTI rikujton se menaxhimi i pasurisë publike, përfshirë njësinë e transportit, realizohet në përputhje me standardet ligjore dhe procedurat financiare të kontrolluara rregullisht nga mekanizmat përkatës të brendshëm dhe të jashtëm”, thuhet ndër të tjera në reagimin e MASHTI-it.