Zyrtarizohen kandidatët për Prishtinën – gara në kryeqytet nis me pesë emra të fortë

Tashmë është bërë e qartë se gara për të parin e Prishtinës do të jetë një ndër më të ashpërit në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Të gjitha partitë në vend kanë zyrtarizuar kandidatët e tyre, duke hyrë fuqishëm në betejën për komunën më të madhe të vendit. LDK-ja konfirmoi sot zyrtarisht se Përparim Rama…

Lajme

10/07/2025 21:14

Tashmë është bërë e qartë se gara për të parin e Prishtinës do të jetë një ndër më të ashpërit në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Të gjitha partitë në vend kanë zyrtarizuar kandidatët e tyre, duke hyrë fuqishëm në betejën për komunën më të madhe të vendit.

LDK-ja konfirmoi sot zyrtarisht se Përparim Rama do të jetë sërish kandidati i saj për kryetar të Prishtinës. Rama, i cili udhëheq komunën që nga viti 2021, do të kërkojë edhe një mandat katërvjeçar, me premtime për vazhdimin e projekteve të nisura dhe përmirësimin e infrastrukturës urbane.

Nga Partia Demokratike e Kosovës, në garë rikthehet Uran Ismaili. Ai garoi edhe në zgjedhjet e kaluara, ku pati rezultat pozitiv. Këtë herë, PDK i ka besuar sërish një prej figurave më të profilizuara të saj.

Edhe Vetëvendosje ka zyrtarizuar kandidaturën për kryeqytetin, duke e nominuar Ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku. Me përvojë në qeverisje dhe çështje të trashëgimisë kulturore, Çeku do të përpiqet ta rikthejë Prishtinën në duart e LVV-së, pas humbjes së ngushtë në vitin 2021.

Ndërkohë, Partia Socialdemokrate ka futur në garë ish-ministren e Arsimit të Shqipërisë, Besa Shahinin. Ajo është kandidatja e vetme grua në këtë garë dhe premton një qasje progresive për qeverisjen lokale, me fokus në arsim, barazi dhe qytete për njerëzit.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kandidon deputeti Bekë Berisha. Ai ka premtuar qeverisje të drejtëpërdrejtë dhe përkushtim për zgjidhjen e problemeve të përditshme të qytetarëve, si trafiku, ndotja dhe siguria.

Prishtina, përveç që është komuna më e madhe dhe më e populluar në vend, mbetet një simbol politik për çdo parti. Në zgjedhjet e vitit 2021, LDK-ja arriti të rikthehet në pushtet në kryeqytet, pas tetë vjetësh të qeverisjes nga Vetëvendosje dhe Shpend Ahmeti.

Me pesë kandidatë të zyrtarizuar dhe me përvojë të konsiderueshme në institucione, fushata për Prishtinën pritet të jetë ndër më intensive në vend. Debatet pritet të përqendrohen në çështje si transporti publik, ndotja, planifikimi urban dhe digjitalizimi i shërbimeve komunale.

Afati për dorëzimin e kandidaturave përfundon më 13 gusht, ndërsa fushata zyrtare nis në shtator. Deri atëherë, kandidatët do të vazhdojnë punën në terren për të fituar besimin e qytetarëve të kryeqytetit./Lajmi.net/