IPKO konfirmon vazhdimësinë e plotë të operimit pas zjarrit në depo dhe shpreh mirënjohje për përkrahjen e marrë nga institucionet, punonjësit, partnerët dhe komuniteti
Pas incidentit me zjarr që ndodhi të enjten në mbrëmje në njërën nga depot e IPKO-s, dëshirojmë të informojmë opinionin publik se situata është plotësisht nën kontroll. Fatmirësisht, nuk ka pasur të lënduar, dhe asnjë nga shërbimet tona, infrastruktura apo shërbimet që lidhen me klientët nuk është prekur. Zjarri ishte i lokalizuar vetëm në…

Lajme
Pas incidentit me zjarr që ndodhi të enjten në mbrëmje në njërën nga depot e IPKO-s, dëshirojmë të informojmë opinionin publik se situata është plotësisht nën kontroll. Fatmirësisht, nuk ka pasur të lënduar, dhe asnjë nga shërbimet tona, infrastruktura apo shërbimet që lidhen me klientët nuk është prekur.
Zjarri ishte i lokalizuar vetëm në zonat e brendshme të magazinimit. Edhe pse ka dëme materiale, procesi i rikuperimit tashmë ka nisur dhe të gjitha shërbimet tona funksionojnë normalisht dhe pa ndërprerje.
“Edhe pse incidenti ishte i papritur, reagimi që morëm nga ekipi ynë, komuniteti dhe partnerët, ishte frymëzues,” u shpreh András Pali, CEO i IPKO. “Jemi thellësisht mirënjohës që nuk pati të lënduar dhe që shërbimet tona vazhdojnë pa asnjë ndërprerje. Dua t’i falënderoj nga zemra punonjësit tanë për vendosmërinë, si dhe institucionet emergjente për guximin dhe përkushtimin e tyre. Ne kemi dalë nga kjo më të fortë, më të bashkuar dhe më të përkushtuar ndaj klientëve tanë.”
IPKO shpreh mirënjohjen më të thellë për Zjarrfikësit, Policinë e Kosovës, si dhe Shërbimet Emergjente për reagimin e tyre të menjëhershëm, përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë gjithë natës. Falë punës së tyre të palodhshme, zjarri është vënë shpejt nën kontroll dhe siguria është garantuar.
Një falënderim i veçantë u shkon partnerëve tanë, bashkëpunëtorëve dhe furnitorëve, të cilët na kontaktuan menjëherë, duke ofruar ndihmë, mbështetje dhe fjalë inkurajuese. Solidariteti juaj gjatë këtij momenti na kujtoi sa i fortë është rrjeti ynë i bashkëpunimit.
Për klientët tanë të dashur, ju falënderojmë për besimin dhe përkrahjen. Mesazhet dhe kujdesi juaj kanë qenë shumë domethënëse për gjithë ekipin tonë.
Një falënderim i veçantë i takon edhe punonjësve tanë të IPKO-s, të cilët ishin aty që nga momentet e para, duke dhënë maksimumin e tyre me profesionalizëm, përkushtim dhe ndihmë të menjëhershme. Reagimi dhe bashkëpunimi i tyre i menjëhershëm është reflektim i vërtetë i shpirtit të IPKO-s.
Ky incident na dëshmoi edhe njëherë se forca e vërtetë qëndron në bashkëpunim, në solidaritet dhe në ekipin tonë. Sot jemi më të fortë, më të bashkuar, më të qëndrueshëm dhe më të vendosur se kurrë për të ofruar shërbime cilësore për qytetarët e Kosovës.