Operacioni “Kalibri” në Kukës: Dy kosovarë bien në pranga për trafik armësh – sekuestrohen tetë pistoleta
Policia e Kukësit ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Kalibri”, duke goditur një rast të trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova në Shqipëri me qëllim shitjen e tyre. Si rezultat i hetimeve dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative, u arrestuan në flagrancë dy shtetas nga Prizreni: Sh. Q., 31 vjeç dhe A.…

Lajme
Policia e Kukësit ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Kalibri”, duke goditur një rast të trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova në Shqipëri me qëllim shitjen e tyre.
Si rezultat i hetimeve dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative, u arrestuan në flagrancë dy shtetas nga Prizreni: Sh. Q., 31 vjeç dhe A. M., 46 vjeç. Ata u kapën në zonën e quajtur “Ura e Hasit”, ku gjatë kontrollit të automjetit në të cilin ndodheshin, Policia gjeti dhe sekuestroi tetë armë zjarri të llojit pistoletë, transmeton lajmi.net
Sipas Policisë së Shtetit, dy të arrestuarit i kishin trafikuar armët nëpërmjet kufirit jeshil, ndërsa dyshohet se ato do t’i shisnin tek dy shtetas shqiptarë, të cilët u larguan nga vendngjarja sapo vunë re praninë e forcave të rendit. Për shkak të hetimeve në vazhdim, identiteti i tyre nuk bëhet i ditur.
Autoritetet theksojnë se puna hetimore vijon për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet të trafikimit të armëve.
Materialet procedurale lidhur me këtë rast i janë dorëzuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës për veprime të mëtejshme ligjore./lajmi.net/