“Kemi pasur netë pa gjumë dhe ditë të ftohta në terren”- Diplomojnë 18 kadetë të FSK-së
Radhëve të Ushtrisë së Kosovës i janë shtuar edhe tetëmbëdhjetë oficerë të rinj. Në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë është mbajtur ceremonia e diplomimit të kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të gjeneratës 2025. Detyra, nderi dhe atdheu, këto u kërkuan nga kadetët që të mbahen mend sa herë që janë në uniformë. Para…

Lajme
Radhëve të Ushtrisë së Kosovës i janë shtuar edhe tetëmbëdhjetë oficerë të rinj. Në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë është mbajtur ceremonia e diplomimit të kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të gjeneratës 2025. Detyra, nderi dhe atdheu, këto u kërkuan nga kadetët që të mbahen mend sa herë që janë në uniformë.
Para kadetëve të diplomuar, komandantja supreme, presidentja Vjosa Osmani tha se nuk ka nder më të madh se sa t’i shërbesh atdheut me zemër.
“Nuk ka nder më të madh se sa t’i shërbesh atdheut me zemër, me betim dhe uniformë. Kjo thënie ju atribuohet sot juve të nderuar të diplomuar kadetë të gjeneratës 2025 të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ju sot jeni gjeneratë me fat sepse kurorëzimi i suksesit tuaj po koinçidon me 20 vjetorin e themelimit të Qendrës për Studime Universitare, asetit tonë kombëtar që përgjatë 20 viteve nxori qindra oficerë dhe oficere të cilët na kanë bërë dhe po na bëjnë krenar jo vetëm me sukseset, në rritjen dhe forcimin e ushtrisë tonë, por edhe me sukseset e panumërta në arenën ndërkombëtare. Kjo ceremoni nuk shënon vetëm fundin e një etape por edhe fillimin e një përgjegjësie të shenjtë të re për secilin prej jush”, deklaroi Osmani.
Në ceremoninë e diplomimit të kadetëve, Osmani tha se ata janë trajnuar me modulin arsimor dhe stërvitor sipas doktrinës së ushtrisë amerikane dhe standardeve të NATO-s.
Sipas saj, të diplomuarit janë të gatshëm për të ushtruar misionin dhe detyrat e shenjta në operacione të përbashkëta shumëkombëshe.
“Forca juaj është trashëgimia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe amaneti i dëshmorëve që flijuan gjithçka për lirinë që ne e gëzojmë sot. Ju jeni besimi ynë se Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë në duar të sigurta, të ndershme dhe të vendosura. Gjenerata 2025, ju jeni pasqyra e një force që ecën me hap të sigurt drejt NATO-s, drejt standardeve më të larta të mbrojtjes dhe drejt rolit të saj të denjë në mbrojtjen e paqes brenda dhe jashtë kufijve tanë. Në rolin tim si komandante supreme e FSK-së jam e vetëdijshme për kuptimin e hapit tuaj të para katër viteve kur preket ëndrrën tuaj për tu bërë kadetë të Akademisë së Mbrojtjes dhe rëndësinë në rrugëtimin tuaj plot sfida për të arritur në ditën e sotme”, u shpreh Osmani.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se nga sot kadetët fillojnë punën fisnike por edhe sfiduese.
“Ashtu si shqiponja sy pa trembur që qëndisur si emblemë e keni në krahë, ushtarët tanë janë të gatshëm kurdo dhe kudo të garantojnë sigurinë e qytetarëve dhe të mbrojnë Republikën e Kosovës. Teksa qëndroj këtu para jush dua të shpreh krenarinë që ndjej për Forcën e Sigurisë së Kosovës, për secilën e secilin prej juve këtu. Pa dyshim suksesi juaj sot është rezultat i një pune të madhe ekipore, investimit ministror në trajnimin e shkollimin e ushtarakëve dhe furnizimin me armatime. Edhe më shumë se kaq është investim i juaj shpirtëror dhe intelektual dhe mbështetje e pa rezervë e familjeve tuaja”, tha ai.
Në ceremoninë e diplomimit të kadetëve, Kurti shtoi se të njëjtit janë shtylla mbi të cilën do të vazhdojë rrugëtimi strukturor dhe profesional i Forcës.
“Kosova në aspektin gjeografik, ideor, vleror e politik është Evropë. Andaj pashmangshëm jo vetëm i nevojshëm është anëtarësimi në familjen evropiane, demokratike të cilës i takojmë. Me dëshmorët e kombit në zemër dhe mësimet profesionale në mendje, kadetë urime diplomimi”, shtoi Kurti.
Oficerët më të rinj të FSK-së kanë bërë edhe betimin para komandantes së Qendrës për Studime Universitare.
Në adresimin e fundit për këtë gjeneratë, komandantja e QSU-së, major Mimoza Poteci ka këshilluar oficerët e rinj.
“Këshilla ime e parë, djem dhe vajza në momentin kur ju vendosët të bëheni ushtarak ju nuk zgjodhët profesion, mirëpo zgjodhët një mënyrë jetese. Një mënyrë jetese e cila kërkon sakrificën dhe vetëmohimin. Një mënyrë jetese e cila e vë shtetin, popullin, institucionin dhe të tjerët para interesave tonë. Prandaj, në çdo mëngjes që zgjoheni, çdo ditë që do të vazhdoni në punë, unë dua që ju t’i mbani mend tri gjëra: detyra, nderi, atdheu. Asnjëherë mos harroni arsyen pse ju shërbeni dhe mbani uniformë. Këshilla ime e dytë, asnjëherë të mos ju mungojë guximi për të marrë vendime, frika nga dështimi apo disfata nuk duhet të jenë asnjëherë arsyet që ju të mos merrni vendime të vështira”, tha ajo.
Në emër të klasës së kësaj gjenerate, Zana Hashani tha se do ta mbrojnë lirinë që dikur ushtarët e UÇK-së e paguan me jetë.
“Sot po shënojmë fundin e një rrugëtimi katër vjeçar si kadetë në Qendrën për Studime Universitare, të cilin e filluam më 29 gusht të vitit 2021. Pa dyshim ky rrugëtim ishte plot sfida, kemi pasur netë pa gjumë dhe ditë të ftohta në terren, momente kur kemi dyshuar në vete, por asnjëherë në misionin tonë që të bëhemi oficerë që udhëheqin me shembull dhe qëllim kryesor e kanë shërbimin ndaj atdheut. Shpesh më është bërë pyetja ‘pse vendose të bëhesh pjesë e FSK-së?’, duke kujtuar historinë e lavdishme të Kosovës, sakrificat e brezave paraprak, krimet barbare që familjet tona përjetuan gjatë luftës, mendoj se pyetja duhet të jetë ‘pse të mos jesh pjesë e FSK-së’. Liria e Kosovës është fituar me gjak, nga djemtë dhe vajzat e UÇK-së që në vitet më të errëta të popullit tonë bënë çmos për atdheun… sot 18 oficerë të rinj i bashkohen FSK-së të gatshëm për të shërbyer, për të udhëhequr me shembull dhe për të mbrojtur me dinjitet çdo pëllëmbë të këtij vendi”, tha ajo.
Në këtë ceremoni u tha se gjatë këtij viti akademik ishte niveli më i lartë i performancës akademike individuale.
Në ceremoninë e diplomimit, është bërë ekzekutimi i drillit ceremonial nga garda ceremoniale e kadetëve. Presidentja e vendit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari kanë bërë ndarjen e diplomave për kadetët.