Kapet në Merdare vetura me targa serbe – Policia sekuestron afro 120 mijë euro të padeklaruara

Një sasi e madhe parash të padeklaruara është zbuluar nga Policia e Kosovës gjatë një kontrolli në pikën kufitare të Merdarës, duke ngritur dyshime të forta për përfshirje në aktivitete të paligjshme. Rasti ka ndodhur të enjten, më 3 korrik, rreth orës 21:30, kur zyrtarët kufitarë kanë ndaluar për kontroll një veturë me targa serbe,…

Lajme

04/07/2025 12:25

Një sasi e madhe parash të padeklaruara është zbuluar nga Policia e Kosovës gjatë një kontrolli në pikën kufitare të Merdarës, duke ngritur dyshime të forta për përfshirje në aktivitete të paligjshme.

Rasti ka ndodhur të enjten, më 3 korrik, rreth orës 21:30, kur zyrtarët kufitarë kanë ndaluar për kontroll një veturë me targa serbe, në të cilën udhëtonin dy shtetas serbë. Fillimisht, pasagjeri kishte deklaruar se posedonte 18,000 euro me vete, por kjo deklaratë alarmoi policinë për mundësinë e fshehjes së mjeteve të tjera, transmeton lajmi.net.

Menjëherë, vetura u dërgua në vijën e dytë të kontrollit, ku u krye një inspektim i detajuar nga zyrtarët policorë dhe doganorë. Ajo që u zbulua ishte tronditëse: në vende të ndryshme të veturës – në trupin e drejtuesit, në një çantë në ulësen e pasme, poshtë ulëses së pasagjerit dhe madje edhe në kulmin e automjetit (në panoramën lëvizëse) – u gjetën gjithsej 119,180 euro të padeklaruara.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, kartëmonedhat e zbuluara ishin në prerje prej 10, 20, 50, 100 dhe 200 eurosh. Të gjitha këto mjete janë sekuestruar përkohësisht dhe janë dorëzuar tek autoritetet doganore për trajtim të mëtutjeshëm ligjor.

Ky rast po trajtohet me seriozitet të lartë, ndërsa hetimet po vazhdojnë./lajmi.net/