Osmani i jep ‘goditje’ të fuqishme Kurtit: Për votim të fshehtë duhet të ketë konsensus

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se votimi i fshehtë në Kuvend lejohet si një mundësi, por vetëm nëse ekziston konsensus mes deputetëve dhe vendim i seancës. “Lejohet si mundësi, por duhet me pas vendim të seancës, të pyeten deputetët”, ka thënë Osmani në një deklarim për media pas ceremonisë së betimit të 18…

Lajme

04/07/2025 11:51

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se votimi i fshehtë në Kuvend lejohet si një mundësi, por vetëm nëse ekziston konsensus mes deputetëve dhe vendim i seancës.

“Lejohet si mundësi, por duhet me pas vendim të seancës, të pyeten deputetët”, ka thënë Osmani në një deklarim për media pas ceremonisë së betimit të 18 kadetëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Presidentja ka paralajmëruar se nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, do të ketë pasoja.

Osmani të mërkurën dhe të enjten ka zhvilluar takime konsultative me liderët e partive politike në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për bllokadën institucionale që ka pasuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ajo u ka bërë thirrje liderëve që të gjejnë një zgjidhje deri në fund të korrikut: “U kam kërkuar liderëve të partive politike që deri në fund të korrikut të gjejnë zgjidhje për bllokadën me konstituimin e legjislaturës së re.”

Presidentja ka zhvilluar takime të ndara me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të PDK-së, Memli Krasniqi, të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Sipas aktgjykimit të publikuar javën e kaluar nga Gjykata Kushtetuese, Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga dita e shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve. Afati përfundimtar për këtë proces është data 26 korrik 2025.