Gramos Hashani dhe Valdrin Krasniqi – Personazhet që janë të lidhur ngushtë me dështimin e KEK-ut dhe procesin e rekruitimit për kryeshef

Ndërmarrja më e madhe publike, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) – është lënë në një krizë udhëheqjeje që zgjat tashmë prej muajsh, duke u bërë simbol i një dështimi institucional të vazhdueshëm. Vetëm brenda një viti, pozita e Kryeshefit Ekzekutiv të KEK është bërë arenë e improvizimeve dhe dështimeve procedurale, duke u përballur me dy…

Lajme

03/07/2025 22:47

Ndërmarrja më e madhe publike, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) – është lënë në një krizë udhëheqjeje që zgjat tashmë prej muajsh, duke u bërë simbol i një dështimi institucional të vazhdueshëm.

Vetëm brenda një viti, pozita e Kryeshefit Ekzekutiv të KEK është bërë arenë e improvizimeve dhe dështimeve procedurale, duke u përballur me dy konkurse të anuluara dhe një refuzim publik të pozitës nga kandidati i përzgjedhur. Një situatë e paprecedentë për një ndërmarrje që menaxhon rrjetin më kritik të energjisë në vend.

Dështimet kronologjikisht:

  • 27 qershor 2024: Konkursi i parë për Kryeshef Ekzekutiv – shpallet i pavlefshëm nga Bordi i KEK, pa sqarim publik bindës për anulimin.
  • 03 mars 2025: Shpallet konkursi i dytë për të njëjtën pozitë – një tjetër përpjekje për të “zgjidhur” krizën.
  • Prill – Korrik 2025: Kandidati i përzgjedhur, z. Ylber Batalli, refuzon ofertën për pozitën e KE. Askush nuk jep llogari pse dhe si u përzgjodh një kandidat që nuk ishte i gatshëm ta pranojë detyrën.

Kush e përbën bordin e drejtorëve të KEK-ut: 

Valdrin Krasniqi Kryesues

Merita Kasapolli Anëtare

Filloretë Gashi-Sadiku, Anëtare

Shpetim Zharku Anëtar


Pyetjet që kërkojnë përgjigje:

  • Kush do të mbajë përgjegjësi për këtë dështim të dyfishtë? Bordi i Drejtorëve i udhëhequr nga Valdrin Krasniqi ka dështuar të menaxhojë një proces të vetëm për zgjedhjen e drejtuesit kryesor të KEK. A është kjo papërgatitje, mungesë profesionalizmi, apo ndikim politik?
  • Ku është Ministria e Ekonomisë? Përballë këtij paralizimi institucional, ministrja Artane Rizvanolli nuk ka marrë asnjë hap të dukshëm për të kërkuar llogaridhënie, për të ndërhyrë ose për të ofruar zgjidhje.

Pasojat në terren: KEK pa udhëheqje, njësi jashtë sistemi

Ndërsa KEK është pa një drejtues të përhershëm dhe bordi humbet në procedura të dështuara, tri njësi të prodhimit të energjisë dolën jashtë funksionit brenda pak ditësh. Furnizimi me energji është tashmë në rrezik serioz.

Një kërcënim direkt ndaj sigurisë energjetike dhe ekonomike të vendit.

Përkundër një dështimi epokal, askush s’ka dhënë llogari. Nuk kemi parë asnjë dorëheqje apo shkarkim. Nga Qeveria në detyrë, kemi parë kritika e sulme ndaj atyre që po e raportojnë këtë dështim, por jo edhe shkarkime ndaj atyre që janë përgjegjës për KEK-un.

Derisa kemi heshtje nga bordi dhe ministrja ndaj këtyre dështime në KEK, qytetarët po përballen me rrezikun e mungesës së energjisë dhe me pasiguri për të ardhmen e një prej aseteve më kritike të shtetit.

Kolapsi i KEK-ut nën menaxhimin e Gramos Hashanit

Brenda pak muajsh, KEK ka ndërruar disa ushtrues detyre të kryeshefit. I fundit, i caktuar në Shkurt 2025, është Gramos Hashani, i emëruar nga Bordi i KEK-ut me kryesues Valdrin Krasniqi. Edhe pse pritej të ishte një zgjidhje kalimtare, mandati i tij u shndërrua në një periudhë të ngarkuar me emërime, ndërhyrje dhe dështime.

Përkundër lidhjeve dhe mbështetjes që kishte, Hashani nuk arriti të përmirësonte performancën e KEK-ut. Përkundrazi, vetëm brenda këtyre tre muajve të fundit, Kosova u detyrua të blejë më shumë se 100 milionë euro energji elektrike, si pasojë e dështimeve të njëpasnjëshme të blloqeve prodhuese. Nuk kishte ndonjë mot të ftohtë, nuk kishte ndonjë krizë natyrore, thjesht mungesë organizimi dhe keqmenaxhim.

Në rrjete sociale, Gramos Hashani shihej në fotografi me Xhafer Gashin, si kryetar i emëruar i një nëndege të AAK-së në Obiliq në vitin 2019. Brenda pak vitesh, Hashani, nga një udhëheqës i një nëndege të AAK-së në Obiliq, arriti që të jetë në krye të KEK-ut.

Duket se më vonë krijoji lidhje edhe me partinë në pushtet, shihen fotot e tij miqësore me Valon Prebrezën Drejtorin e Ndërmarrjeve Publike dhe Alban Krasniqin sekretar i KEK dhe anëtar bordi në Trepçë, ku janë ngritur dyshime për ndikim politik në emërimin e tij.

(FOTO: Gramos Hashani, Alban Krasniqi, Valon Prebreza)

Përveç me Alban Krasniqin, në këtë grup të miqësisë së tyre është edhe Valon Prebreza, Drejtorit të ndërmarrjeve publike, i cili njëkohësisht është aktivist i Vetëvendosjes dhe i afërt me ministren Rizvanolli.

Lidhja e Prebrezes me pushtetin u konfirmuar me daljen e tij si kandidat i VV-së për komunën e Fushë Kosovës. /lajmi.net/