Hoti: Hapi presidentes, dinamikë e re në tejkalimin e ngërçit politik
Afrim Hoti, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare, ka folur për situatën politike në vend, për ngërçin politik në moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës. Aktivitetin e sotëm të presidentes së vendit, Hoti e vlerësoi si hap të mirë për të sjellë një dinamikë të re procesit, për ta tejkaluar këtë ngërç politik. Sipas tij janë dy pengesa…

Lajme
Afrim Hoti, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare, ka folur për situatën politike në vend, për ngërçin politik në moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës. Aktivitetin e sotëm të presidentes së vendit, Hoti e vlerësoi si hap të mirë për të sjellë një dinamikë të re procesit, për ta tejkaluar këtë ngërç politik.
Sipas tij janë dy pengesa kryesore që pengojnë presidenten për të procesuar tutje: “e para është hapësira kushtetuese që presidentja ka në çështjen e konstituimit të Kuvendit dhe pengesa e dytë është roli i paanësisë i presidentes së vendit që, për fatin e keq, në të kaluarën ajo nuk e ka pasur këtë, sepse dihet që opozita nuk e ka ndierë si presidente të vendit, si figurë unifikuese”.
Megjithatë, shtoi ai, presidentja po provon të luaj rolin e saj unifikues.
Hoti më tej foli edhe për, siç tha ai, tërheqjen e bashkësisë ndërkombëtare nga ky proces, ku, sipas tij, ka të bëjë me politikat tekanjoze të bëra nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duke lënë institucionet tona që “të luajnë rolin e sovranizimit”.
“Praktika e deritashme ka treguar që, në veçanti me SHBA-në, në pozicione të ndjeshme liderët tanë të bashkuar janë takuar në ambasadën amerikane”, tha Hoti, teksa shtoi se mosemërimi i ambasadorit të ri të SHBA-së në Kosovë dhe pamundësia e partive tona politike për të zgjedhur një ‘spiker’ në Kuvendin e Kosovës, kjo do të duhej të trokiste në ndërgjegjen e politikanëve tanë. “Pra procesi i brendshëm politik po injorohet”./rtk