Krasniqi pas takimit me presidenten, i drejtohet Kurtit: Kthehuni tek rendi i ditës, propozojeni një kandidat që mund të marr shumicën e nevojshme
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka folur për media pas takimit që pati me presidenten e vendit, Vjosa Osmani. Krasniqi në prononcimin për media tha se presidentes ia rikonfirmoj qëndrimin e PDK-së, shkruan lajmi.net. Ai tha se mbetet të shihet pas këtyre takimeve që i ka organizuar presidentja nëse Kurti e VV-ja kanë ndryshuar qëndrim.…

Lajme
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka folur për media pas takimit që pati me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.
Krasniqi në prononcimin për media tha se presidentes ia rikonfirmoj qëndrimin e PDK-së, shkruan lajmi.net.
Ai tha se mbetet të shihet pas këtyre takimeve që i ka organizuar presidentja nëse Kurti e VV-ja kanë ndryshuar qëndrim.
“Sapo e përfundova takimin me presidenten, edhe në këtë takim e rikonfirmova qëndrimin dhe gatishmërin e PDK-së për të luajtur rolin tonë për gjetjen e një zgjidhje të krizës politike, sidomos tash që kemi qartësim nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili i ka bërë të qartë rolet e gjithësecilit, në radhë të parë të koalicionit që ka dal i pari në zgjedhje të cilin e ka detyruar përveç tjerash gjetjen e kompromisit. Unë shpresoj që këto konsulta të jenë në funksion të gjetjes së rrugëdaljes por mbetet që takimet e tjera që i ka planifikuar presidentja të na qartësojnë se ka apo s’ka një ndryshim të kryeneqësisë së VV-së dhe z.Kurtit që po vazhdojnë ta mbajn të bllokuar konstituimin e Kuvendit. Për PDK-në është e qartë, këto qëndrime ia shpreha edhe presidentes që aktgjykimi e ka bërë të palejueshëm mënyrën e ndryshimit të votimit në mes të procesit.”, u shpreh ai fillimisht.
Krasniqi kërkoi nga VV-ja që t’i kthehen rendit të ditës dhe të propozojnë një kandidat apo kandidate që mund të marr shumicën parlamentare.
“Ftesa jonë vazhdon të mbetët e njëjta, të kthehemi tek pika e rendit të ditës, siç ka qenë, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, të votohet sipas praktikave të deritashme, siç ka thënë edhe Gjykata Kushtetuese dhe të sillet një propozim i një kandidati apo kandidateje që mund ta merr shumicën e nevojshme për ta konstituar Kuvendin dhe për të hyrë në afatet Kushtetuese që mund të sjellin një qeveri të re.”, tha i pari i PDK-së.
Në fund, Krasniqi iu kundërpërgjigj Kurtit që tha se opozita s’po di ta interpretoj aktgjykimin e Kushtetueses.
“Sa i përket Gjykatës Kushtetuese dhe Kushtetutes në mënyrë të veçantë dhe aktgjykimeve, nëse ka një parti politike dhe një lider që nuk duhet me u marr me interpretime është Albin Kurti dhe LVV sepse sa herë i kemi dërgu në Gjykatë Kushtetuese, ne i kemi fituar, ata i kanë humbur. Nuk kanë ditë as në të kaluarën në tema më pak të rëndësishme me interpretu Kushtetutën e lëre për këtë temë që është krejtësisht e qartë, nëse thuhet se s’mundet me u ndryshu rendi i ditës, qysh mundet me u shtu një pikë siç është formimi i komisionit”, përfundoi Krasniqi./lajmi.net/