“Së pari pastro para derës tënde” – Ambasada e Gjermanisë reagon ndaj letrës së Petkoviqit për urat mbi lumin Ibër, ka një porosi edhe për Qeverinë e Kosovës

Ambasada Gjermane në Kosovë, ka reaguar pasi ka marrë parasysh letrën e fundit të drejtorit të së ashtuquajturës Zyrës për Kosovë në Serbi, Petar Petkoviq i cili i ka bërë thirrje BE-së që t’ia ndalojë së ndërtuari Kosovës dy urat shtesë mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Përmes një deklarate për media, Ambasada e Gjermanisë, ka…

Lajme

02/07/2025 14:46

Ambasada Gjermane në Kosovë, ka reaguar pasi ka marrë parasysh letrën e fundit të drejtorit të së ashtuquajturës Zyrës për Kosovë në Serbi, Petar Petkoviq i cili i ka bërë thirrje BE-së që t’ia ndalojë së ndërtuari Kosovës dy urat shtesë mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Përmes një deklarate për media, Ambasada e Gjermanisë, ka theksuar se Qeveria e Kosovës duhet të heqë dorë nga veprimet eskaluese, por po ashtu thekson se thirrjet për de-eskalim duhet të jenë të barabarta për të gjitha palët, shkruan lajmi.net.

“Ashtu siç e kemi deklaruar vazhdimisht, i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës të heqë dorë nga veprimet eskaluese. Megjithatë, thirrjet për de-eskalim duhet të zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjitha palët” thuhet në deklaratë.

Ambasada gjermane ka kritikuar gjithashtu mosndjekjen e autorëve të sulmit të Banjska në qershor të vitit 2023, teksa edhe përmend rastin e udhëheqësit të sulmit, ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Radoiçiq i cili sipas saj po lëviz lirshëm në territorin serb pavarësisht pranimit të përgjegjësisë.

“Sigurisht që nuk është Qeveria e Kosovës ajo që po dështon të zbatojë masa ligjore kundër atyre që janë përgjegjës për sulmin e tmerrshëm në Banjskë. Fakti që udhëheqësi i vetëshpallur i atij sulmi, z. Radoiçiq, pranoi publikisht përgjegjësinë dhe megjithatë vazhdon të lëvizë lirshëm në territorin serb, minon thellësisht përpjekjet për të nxitur besimin dhe llogaridhënien në rajon”, theksohet deklaratë.

Për ta përmbyllur këtë reagim Ambasada ka cituar një proverb nga gjuha gjermane nga e cila u tha: “së pari pastro para derës tënde”.

“Në gjermanisht themi, ‘Erstmal vor der eigenen Haustür kehren’ – së pari pastro para derës tënde. Kjo fjalë e urtë na kujton se duhet të rregullosh shtëpinë tënde përpara se ta qortosh vazhdimisht Kosovën për vendimet e saj”, thuhet tutje në deklaratë.

Ndërkaq Ambasada ka vënë në dukje se mosveprimi ndaj dhunuesve është po aq i dëmshëm sa edhe veprimet e pa koordinuara nga Prishtina. /Lajmi.net/