Arrestohen migrantë në SHBA gjatë bastisjeve në vendet e punës, punëdhënësit shpëtojnë pa ndëshkim

Administrata Trump është përqendruar në bastisjet e vendeve të punës në biznese të vogla si pjesë e përpjekjeve për t’i rritur arrestimet e migrantëve të paautorizuar. Zyrtarët e administratës Trump janë zotuar se do t’i mbajnë kompanitë përgjegjëse për punësimin e njerëzve që janë në vend në mënyrë të paligjshme – pa marrë parasysh në…

Bota

30/06/2025 16:52

Administrata Trump është përqendruar në bastisjet e vendeve të punës në biznese të vogla si pjesë e përpjekjeve për t’i rritur arrestimet e migrantëve të paautorizuar.

Zyrtarët e administratës Trump janë zotuar se do t’i mbajnë kompanitë përgjegjëse për punësimin e njerëzve që janë në vend në mënyrë të paligjshme – pa marrë parasysh në cilën industri janë apo sa të mëdha apo të vogla mund të jenë.

Por operacionet e zbatimit të ligjit nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare janë përqendruar në mënyrë dërrmuese në arrestimin e punëtorëve sesa në ndëshkimin e punëdhënësve, raporton The Washington Post.

Që nga fillimi i vitit, Imigracioni dhe Doganat (ICE) ka publikuar komunikata për rreth dy duzina bastisjesh në seksionin “Zbatimi i Ligjit në Vendin e Punës” në faqen e saj të internetit. Mediat lokale kanë dokumentuar edhe dhjetëra të tjera. The Washington Post ka arritur ta identifikojë vetëm një punëdhënës të akuzuar pas bastisjeve. Post ka shqyrtuar dosjet gjyqësore dhe ka kërkuar të dhëna që përfshijnë individët e përmendur në dokumentet korporative të bizneseve të bastisura.

Akuzimi i pronarëve të kompanive për punësim të punëtorëve të padokumentuar ka qenë historikisht i rrallë sepse qeveria duhet të dëshmojë që punëdhënësi ka ditur për statusin e paligjshëm të punëtorit. Kjo është një barrë e lartë prove dhe hetimet mund të zgjasin me muaj. As administratat demokrate, as ato republikane nuk e kanë bërë prioritet bastisjen e vendeve të punës më parë. Administrata Biden ndali arrestimet masive të emigrantëve në vendet e punës dhe e përqendroi zbatimin te punëdhënësit.

Bastisjet që po kryejnë zyrtarët e imigracionit janë kryesisht të drejtuara ndaj bizneseve të vogla, si lavazhe makinash. Disa prej tyre kryhen brenda pak minutash. Dy pronarë biznesesh thanë se oficerët nuk paraqitën urdhër, edhe pse u kërkua, duke ngritur pyetje nëse agjentët e imigracionit po shkelin të drejtat kushtetuese në përpjekje për të rritur numrin e arrestimeve të migrantëve.