Dështon edhe tentativa e 39-të, Kuvendi mbetet i pakonstituar

Kuvendi i Kosovës u mblodh për herën e 39-të për seancën konstituive. Mirëpo, edhe kjo përpjekje dështoi. Komisioni për të organizuar votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, nuk mori përkrahjen e deputetëve, raporton “Betimi për Drejtësi”. Me 53 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, seanca e sotme dështoi. Të pranishëm në…

Lajme

29/06/2025 11:40

Kuvendi i Kosovës u mblodh për herën e 39-të për seancën konstituive. Mirëpo, edhe kjo përpjekje dështoi.

Komisioni për të organizuar votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, nuk mori përkrahjen e deputetëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Me 53 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, seanca e sotme dështoi.

Të pranishëm në seancë ishin 95 deputetë.

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, njoftoi se seanca vazhdon më 1 korrik në orën 11:00.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese më 26 qershor 2025, me të cilin deputetët obligohen që brenda 30 ditësh ta konstituojnë Kuvendin. Kreu i Vetëvendosjes, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, ftoi liderët e subjekteve politike në takim. Andaj, meqenëse ky takim ishte paralajmëruar për të shtunën e e 28 qershorit, seanca e 27 qershorit u shty me pajtim të të gjitha partive. Megjithatë, pasi dolën nga takimi, krerët e partive politike njoftuan se i njëjti ishte pa rezultat.

Ndryshe, seanca e 15 prillit dhe ajo e 17 prillit, u ndërprenë pasi dështoi të votohej Komisionin për verifikimin e kuorumit dhe mandateve. Por, më 19 prill u votua ky Komision, derisa u betuan edhe deputetët e legjislaturës së nëntë dhe hapën rrugën për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve. Në atë seancë, kandidatja e partisë fituese, Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, në dy votime, dështoi t’i fitojë votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryetare e Kuvendit.