Kurti sot i pret në takim të përbashkët krerët e partive politike, shkak konstituimi i Kuvendit

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Vetëvendosjes, partisë që ka dalë e para në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe që ka fituar 48 ulëse në Kuvend, ka ftuar në takim krerët e partive të përfaqësuara në Kuvend, për të shtunën pasdite. Takimi i thirrur nga Kurti do të mbahet nga ora 16:00. Përfaqësuesit…

Lajme

28/06/2025 08:13

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Vetëvendosjes, partisë që ka dalë e para në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe që ka fituar 48 ulëse në Kuvend, ka ftuar në takim krerët e partive të përfaqësuara në Kuvend, për të shtunën pasdite.

Takimi i thirrur nga Kurti do të mbahet nga ora 16:00. Përfaqësuesit e partive politike kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim.

Kurti dje tha se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese thekson qartë se obligimi për ta konstituuar Kuvendin është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë.

“Si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe në emër të grupit më të madh parlamentar të dalur nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, u jam drejtuar të gjithë krerëve të subjekteve të përfaqësuara në legjislaturën e nëntë, me ftesë për takim të përbashkët të shtunën në orën 16:00, në përpjekje të radhës në funksion të konsensusit për konstituim të Kuvendit”, ka shkruar Kurti.

Ndryshe Kuvendi i Republikës së Kosovës u mblodh dje në vazhdimin e radhës të seancës konstituive të Legjislaturës së Nëntë.

Në hapje të vazhdimit të seancës kryesuesi Avni Dehari ftoi përfaqësuesit e subjekteve politike për një konsultë, pas aktgjykimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese.

Pas takimit konsultativ, kryesuesi Dehari njoftoi deputetët se përfaqësuesit e të gjitha subjekteve politike në takim ishin të mendimit që të ndërpritet vazhdimi i i seancës.

“Pasi të mbahet takimi i liderëve politikë, i ftuar nga subjekti më i madh, të vazhdojmë seancën më 29 qershor, në orën 11:00”, theksoi kryesuesi Dehari.