Kurti reagon pas aktgjykimit të Kushtetueses, fton në takim liderët e partive politike për të shtunën
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri në detyrë Albin Kurti ka reaguar në lidhje me aktgjykimin e nxjerrë dje nga Gjykata Kushtetuese ku thuhet se deputetët duhet konstituar brenda 30 ditëve Kuvendin e Kosovës. Kurti tha se aktgjykimi qartë thotë se obligimi për ta konstituar kuvendin është obligim i të gjithë deputetëve, jo vetëm i…

Lajme
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri në detyrë Albin Kurti ka reaguar në lidhje me aktgjykimin e nxjerrë dje nga Gjykata Kushtetuese ku thuhet se deputetët duhet konstituar brenda 30 ditëve Kuvendin e Kosovës.
Kurti tha se aktgjykimi qartë thotë se obligimi për ta konstituar kuvendin është obligim i të gjithë deputetëve, jo vetëm i subjektit të parë.
Me këtë rast Kurti njoftoi se ka ftuar në takim të gjithë krerët e partive politike në vend, për të shtunën, transmeton lajmi.net.
“Aktgjykimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese thekson qartë se obligimi për ta konstituuar Kuvendin është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë. Si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe në emër të grupit më të madh parlamentar të dalur nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, sot u jam drejtuar të gjithë krerëve të subjekteve të përfaqësuara në legjislaturën e nëntë, me ftesë për takim të përbashkët të shtunën (nesër) në orën 16:00, në përpjekje të radhës në funksion të konsensusit për konstituim të Kuvendit”,deklaroi Kurti.
Deputetët do të mblidhen sot në Kuvendin e Kosovës për të 38-ën herë me radhë e sigurisht me rezultat të njëjtë për të tentuar konstituimin e kuvendit.
Megjithatë, është hera e parë që do ta tentojnë një gjë të tillë pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Kushtetuesja i ka obliguar partitë e deputetët që brenda 30 ditësh ta konstituojnë Kuvendin.
Megjithatë, nuk ka sqaruar se çfarë ndodh nëse ky aktgjykim nuk respektohet.
Si rezultat, palët nuk po tërhiqen ende nga bindjet e veta.
VV-ja me komision e votim të fshehtë, kurse opozita kundër kësaj ideje, dhe kundër Albulena Haxhiut për kryeparlamentare.
“Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në zbatim të paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] në ndërlidhje me nenin 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve], nenin 70 [Mandati i Deputetëve] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kreun IV të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me këtë Aktgjykim duhet që sa më shpejt dhe jo më vonë se tridhjetë (30) ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit duke zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët e tij”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
“E drejta për të propozuar Kryetarin/en e Kuvendit, e rezervuar për grupin më të madh parlamentar, është vendosur përmes Aktgjykimit në rastin KO119/14; (iv) propozimi i kandidatit për Kryetar/e të Kuvendit është i ndërlidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me arritjen e shumicës së votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, dhe si e tillë kjo e drejtë për propozimin e kandidatit për Kryetar/e të Kuvendit përbën njëkohësisht edhe detyrim për grupin më të madh parlamentar për bashkëpunim në mirëbesim dhe konsultim konstruktiv me grupet e tjera parlamentare për të gjetur konsensusin apo kompromisin e nevojshëm.” – thuhet ndër të tjera aty./Lajmi.net/