KPK kërkon shtim të buxhetit për funksionim të sistemit prokurorial
Këshilli Prokurorial i Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar kërkesën e parë buxhetore për vitin 2026 dhe vlerësimet e hershme për vitet 2027-2028. Kjo kërkesë që mori 10 vota gjithsej, u konsiderua tejet e nevojshme që të ketë rritje të buxhetit për Këshillin, me qëllim që t’i trajtojnë sfidat me të cilat ballafaqohen. Drejtori…

Lajme
Këshilli Prokurorial i Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar kërkesën e parë buxhetore për vitin 2026 dhe vlerësimet e hershme për vitet 2027-2028. Kjo kërkesë që mori 10 vota gjithsej, u konsiderua tejet e nevojshme që të ketë rritje të buxhetit për Këshillin, me qëllim që t’i trajtojnë sfidat me të cilat ballafaqohen.
Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KPK-së, Sami Istrefi tha se në kërkesën buxhetore është përfshirë kërkesa për forcim dhe efikasitet të sundimit të ligjit.
Istrefi tha se kërkesa buxhetore është mbi 27 milionë e 470 mijë euro me qëllim të funksionimit të sistemit prokurorial.
“Buxheti i aprovuar dhe buxheti i planifikuar për 2026 numri i stafit 969 pozita, paga dhe mëditje 13 milionë e 837, mallra dhe shërbime 3 milionë e 450 mijë, shpenzimet komunale 199 mijë, shpenzimet kapitale 2 milionë e 134 mijë. Në raport me buxhetin e lejuar që në total është 19 milionë e 621 mijë me kërkesën buxhetore që shkon 27 milionë e 429 mijë për të mundur të funksionojnë sistemi prokrurorial i Kosovës në të gjitha sfidat të cilat i ka në tri kategoritë themelore paga dhe mëditje, investime kapitale, mallra dhe shërbime. Sfidat nëse kërkesat buxhetore nuk aprovohen sipas këtij planifikimi vështirësitë që sistemit prokurorial do t’i ketë, janë mungesa e stafit numri i vogël në raport me nevojat dhe kërkesën e gjykatave mungesa e bashkëpunëtorëve profesional të zyrtarëve ligjor”, deklaroi ai.
Istrefi tha se në rast të mos miratimit të kësaj kërkese financiare sistemi prokurorial do të ballafaqohet me mungesë të pozitave të nevojshme por edhe mungesë të buxhetit për mëditje e mallra dhe shërbime.
“Sfida kryesore do të jetë mungesa e pozitave të nevojshme, mungesa e buxhetit për kategorinë paga dhe mëditje mungesa e buxhetit për kategorinë mallra dhe shërbime si dhe mungesa e buxhetit e investimeve kapitale. Nevoja për pozita shtesë, pozitat e kërkuara për vitin 2026 janë 21 prokurorë dhe 179 për staf administrativ, një prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, tre prokurorë në Prokurorinë e Apelit, 3 prokurorë në Prokurorinë Speciale”, deklaroi ai.
Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të shtetit, Besim Kelmendi tha se kjo kërkesë buxhetore duhet të aprovohet. Ai shton se nëse nuk ndodh kjo po shkelen ligjet që janë miratuar dhe po shkaktohen pengesa për zbatimin e drejtësisë në Kosovë.
“Kjo kërkesë buxhetore jo vetëm që duhet aprovuar, por thjesht duhet ngirisim zërin jo vetëm neve si KPK por edhe shoqëria civile, partnerët ndërkombëtar dhe gjithë njerëzit që ia duan të mirë drejtësisë duhet ta vetëm të aprovohet, duhet të ngrisin zërin dhe të shikojnë se si është e mundur që KPK komplet sistemi prokurorial të diskriminohet të anashkalohet dhe të shkelen ligjet në fuqi sepse ato ligje nuk po respektohen….47;45Mos miratimi i këtij buxheti është pengesë e zbatimit të drejtësisë në Kosovë, mos të them se është e qëllimshme sepse lëvdatat për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Lëvdatat për futjen e Kosovës në raporte kredibile ndërkombëtare si sukses i luftimit të këtyre veprave penale nuk i takojnë atyre që nuk i punojnë këto raste, por i takojnë kryesisht prokurorit të shtetit që është boshti i sistemit të drejtësisë.. të bëjmë një trysni të ligjshme të të gjithë ata që kanë për detyrë me mbështet drejtësinë në Kosovë. Mos mbështetja e sistemit prokurorial nënkupton pengesë në sistemin e drejtësisë në Kosovë”, tha ai.
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ardian Hajdari deklaroi në këtë takim se kërkesat e KPK-së janë të detajuara dhe të arsyetuara mirë.
“Ne kemi kërkesa të detajuara dhe të arsyetuara mirë dhe kjo është kërkesa jonë dhe mund të them se objektiv shtetërore për proceset euro-integruese dhe fuqizimit i shtetit ligjor e determinojnë nevojën për ngritjen e efikasitetit të sistemit prokurorial i cili nuk mund të arrihet pa këtë mbështetje buxhetore”, u shpreh ai.
Nevojat për shtim të buxhetit për KPK e theksoi edhe anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Arian Gashi i cili tha se nuk e kupton se si Ministria e Financave nuk e rrit buxhetin për Këshillin.
“Pa buxhet nuk mund të ketë shërbime cilësore ashtu siç kërkohet… nuk arrij të kuptoj faktin për mospërkrahje dhe mospërgjigje në kërkesat tona pikërisht nga organet kompetente këtu me theks të veçanta nga ministria e Financave”, theksoi ai.
Në këtë takim të Këshillit Prokurorial të Kosovës sot është diskutuar edhe kërkesa e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës për tu caktuar dy prokurorë shtesë në këtë prokurori.
Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të shtetit, Besim Kelmendi tha se kjo kërkesë është e bazuar dhe duhet të trajtohet seriozisht nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Sipas Kelmendit deri tek kjo kërkesë ka ardhur pasi që një prokuror special është caktuar si kryeprokuror në Prokurorinë Themelore në Ferizaj dhe një prokuror tjetër do të pensionohet.
“Tani me ligjin e ri tek neni 28 i ligjit bazik është fshirë dhe nuk ekziston mundësia që kryeprokurori i shtetit të caktoj cilido prokuror në cilëndo prokurori, dhe tani kjo kompetencë i mbetet KPK i cili sipas ligjit për KPK dhe sipas rregullores për transferim dhe avancim duhet të respektoj procedurat dhe të vazhdoj më tutje për kërkesën e kryeprokurorit Blerim Isufaj e cila kërkesë për mua është e bazuar kërkesë e cila duhet të trajtohet seriozisht për shkak se numri i rasteve në Prokurorinë Speciale dhe numri i disa rasteve specifike se si ato të krimit të organizuar dhe terrorizmit unë konsideroj se me të drejtë kryeprokruori Blerim ka caktuar t’i shtohen apo t’i caktohen edhe dy prokurorë“, theksoi ai.
Anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Milot Krasniqi tha se në këtë prokuroi vëllimi i punës është shumëfishuar.
“Vitin e kaluar janë transferuar 9 prokurorë mirëpo siç e pata thënë edhe po të na jepet edhe 19 prokurorë prapë se prapë numri nuk është i mjaftueshëm, aktualisht po funksionojmë me një fazë emergjente pasi disa prokurorë janë larguar kjo prokurori në rrethana të ndryshme”, tha ai.
Dhe pasi disa diskutimeve se si mund të përmbushet kërkesa e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj për mbështetje me dy prokurorë, Këshilli Prokurorial i Kosovës mori vendim që të shpallet konkurs për një pozitë për avancim në PSRK.
“Unë propozoj që të shpallet konkursi për një vend në Prokurorinë Speciale për një pozitë për avancim në PSRK-në duke filluar nga data 30 qershor 2025 sipas dispozitave ligjore”, propozoi ai.
Në mbledhjen e sotme të Këshillit Prokurorial të Kosovës është ka emëruar anëtarin e KPK-së, Arian Gashi kryetar të Komisionit për Çështje Normative. Gashi për këtë pozitë mori 9 vota për dhe 1 abstenim. Deri tek emërimi i Gashit në këtë pozitë erdhi pasi anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Armend Zenelaj me datë 19.05.2025 kishte dorëzuar në Këshill dorëheqjen nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe nga pozita e Kryesuesit të Komisionit për Çështje Normative. Dorëheqjen i njëjti e ka arsyetuar për shkak të rrethanave personale dhe profesionale.