Testimet në Urën e Ibrit, KFOR: Nuk ishim të përfshirë drejtpërdrejt, kompania është kontraktuar nga BE

Mundësia e hapjes së urës së Ibrit për qarkullim të automjeteve u vu në diskutim, tash e një vit. Ura e Ibrit mori vëmendje edhe më të madhe pas propozimit që pati haptazi Qeveria e Kosovës për ta hapur atë, gjë kjo e cila u kundërshtua shumë nga Bashkimi Evropian dhe ndërkombëtarët, prandaj Ura e…

Lajme

26/06/2025 11:07

Mundësia e hapjes së urës së Ibrit për qarkullim të automjeteve u vu në diskutim, tash e një vit.

Ura e Ibrit mori vëmendje edhe më të madhe pas propozimit që pati haptazi Qeveria e Kosovës për ta hapur atë, gjë kjo e cila u kundërshtua shumë nga Bashkimi Evropian dhe ndërkombëtarët, prandaj Ura e Ibrit vazhdon të jetë ende e mbyllur.

Ndonëse nga Qeveria e Kosovës vitin e kaluar edhe kryen testimin mbi të, e “respektuan” kërkesën e ndërkombëtarëve dhe Ura e Ibrit nuk u hap.

Kjo urë u kthye përsëri në vëmendje të martën, më 24 qershor kur Bashkimi Evropian e testuan përsëri atë.

Ky testim i urës nga Bashkimi Evropian siç është konfirmuar atë ditë edhe nga zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi nuk ka ndodhur në bashkëpunim me Qeverinë.

“Ne nuk e kemi asnjë njoftim zyrtar. Ne i kemi përfunduar testimet si ministri”, pati thënë të martën Durimishi për lajmi.net.

Se testimet janë kryer vetëm nga Bashkimi Evropian, sot për lajmi.net e ka konfirmuar edhe KFOR-i.

Ata kanë thënë se personeli i angazhuar në vlerësimet teknike të kryera në Urën e Ibrit i përket një kompanie civile të kontraktuar nga Bashkimi Evropian, ndërsa nuk kanë dhënë më shumë detaje në lidhje me këtë.

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga viti 1999 – për të kontribuar në një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, si dhe për lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet e tyre si përgjegjës për siguri”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e KFOR-it.

Lajmi.net ka dërguar pyetje edhe tek Zyra e BE-së në Kosovë por të njëjtit ende nuk kanë kthyer përgjigje.

Ura e Ibrit u testua nga Ministria e Infrastrukturës në gusht të vitit të kaluar. Pas këtij testimi, zëvendësministri i Infrastrukturës i Kosovës, Hysen Durmishi, pati thënë se, sipas një raporti fillestar, ura mbi lumin Ibër në veri është e “qëndrueshme dhe funksionale” dhe se ajo mund të përdoret për shfrytëzim pa asnjë kufizim ngarkese.

“Sapo kemi pranuar raportin nga testimi i kapacitetit të mbajtjes së strukturës së urës ekzistuese mbi lumin Ibër. Raporti konkludon qartë se struktura e urës mbi lumin Ibër është stabile dhe funksionale dhe si e tillë mund të përdoret për shfrytëzim pa asnjë kufizim në ngarkesë”, tha Durmishi.

Ndryshe mbi urën e Ibrit vazhdon qarkullimi i qytetarëve pa asnjë problem, por mungon qarkullimi i automjeteve. Madje nga Lëvizja Vetëvendosje së fundi patën edhe një ide tjetër- që aty të vendosen edhe dy ura të reja, e që në fakt nuk dihet se çfarë shërbimi do kryenin. /Lajmi.net/